Aktualitet

PAMJET e sherrit/ Avokati i familjes Cani: Martinin nuk e vrau publikimi i videos. E ëma: Nuk e kam parë dot, ishin tronditëse!

Një ndërhyrje kishte edhe nga avokati i familjes, Redi Ramaj. Ky i fundit u shpreh se videoja duhet të ishte bërë publike në sallën e gjyqit dhe të analizohej për të gjetur autorin e vrasjes së 8-vjeçarit.

k.m.
PAMJET e sherrit/ Avokati i familjes Cani: Martinin nuk e vrau publikimi i
Familja Cani

TIRANË- Publikimi i pamjeve të momentit të vrasjes së Martin Canit kanë shkaktuar një debat të gjerë në rrjet dhe jo vetëm. Mbrëmë, publikimi i tyre u bë "kryefjalë" në disa emisione. Në "Top Story", doli dhe foli vetë gazetari, i cili publikoi pamjet. Në hyrje të emisionit, Eraldo Harlica mori përsipër përgjegjësinë për publikimin e videos duke shtuar se pretendimi i tij i vetëm ishte që ngjarja të zbardhej e plotë.

“Zgjodha ta publikoj atë video që të mos lihej në harresë kjo ngjarje dhe që të bëhet drejtësi,”- tha ai.

Një ndërhyrje kishte edhe nga avokati i familjes, Redi Ramaj. Ky i fundit u shpreh se videoja duhet të ishte bërë publike në sallën e gjyqit dhe të analizohej për të gjetur autorin e vrasjes së 8-vjeçarit.

"Nuk e ka vrarë videoja Martini dhe as publikimi i saj. Videoja duhej të dilte në proces të hapur gjyqësor dhe të ishte publike. Vetëm familja e Martin Canit mund të flasë për të drejtën etike për publikimin e videos, askush tjetër. Policia ka dalë me 10 variante të ndryshme për vrasjen e Martin Canit,”- tha avokati Ramaj.

QËNDRIMI I PLOTË I AVOKATIT:

Videon e kemi që prej fillimit të shkurtit, nuk e ka vrarë video Martin Canin, as publikimi i videos, këtu duhet të reflektojmë si shoqëri në këndvështrimin tim si avokat dhe duke e ndjekur ngjarjen që nga dita e parë. Nga 18 nëntori nuk kemi reflektuar se jemi shoqëri sot më e mirë apo njësoj si atë ditë që është vrarë një fëmijë në shkollën 9-vjeçare. Sot fëmijët në të gjitha shkollat janë prap në të njëjtën gjendje, është në konstatimin tim.

Pse e them këtë, sepse askush nuk ka ndërhyrë veç momenteve të para nga organet shtetërore të sjellë një siguri në shkolla për fëmijët e tjerë. Gjyqi duhej të ishte publik dhe videoja të jepej në proces gjyqësor që të kishte reflektim shoqëria. E dini në ça gjendje ka qenë gjykata në momentin e marrjes në pyetje të të gjithë të miturve? Një gjendje jo normale, gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe vetë familjarët e fëmijëve se të gjithë kanë treguar një ngjarje ku të gjithë janë fëmijë të mitur dhe ka ndodhur një sherr ku është vrarë Martin Cani dhe është plagosur një tjetër i mitur. E gjitha është një situatë paradoksale. Në këtë çështje apo çështje të tjera media ka luajtur një rol të fuqishëm.

Paralelisht, në emisionin "Opinion" kishte dalë nëna e 14-vjeçarit, Florina Cani. E pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse i kishte parë pamjet e sherrit pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet, ajo u shpreh se nuk ka mundur të ndjekë asnjë moment nga pamjet, duke shtuar se ishte e tronditur nga publikimi i tyre. 

Ndër të tjera, Cani theksoi se pavarësisht qëllimit që ka pasur pasur personi i parë që ka publikuar ato pamje, mund të ishte shmangur.

“Me thënë të drejtën, po mundohemi ta marrim pak veten dhe ta kthejmë dhimbjen në forcë. Dhimbja çdo ditë shtohet, por ne duam që Martinin mos ta humbim me kujtimet e tij. Gjithsesi u trondita jashtë mase shumë, tronditje e madhe psikologjike. Ne kemi falenderuar mediat që na kanë qëndruar pranë, por ishte tronditëse! Unë nuk e dija që videoja ishte e publikuar, nuk munda që ta shikoj! Ne po ndjekim hap pas hapi seancat gjyqësore, unë u bë disa raste që nuk kam shkuar se nuk po e përballoj si nënë. Policia e Shtetit duhet ta kishin zbuluar. Autori është para gjykatës, por akoma nuk ka marrë një dënim. Unë kam thënë që do ndjek procedurat e gjykatës, por jemi në pritje. Pikëpyetjet janë të mëdha, unë vetë si nënë po. Ka manipulime në të gjitha drejtimet! Nuk ishin banda kriminelësh, ishin fëmijë. Nuk ka pasur tjetër njeri, është e qartë se kush e goditi. Ne jetojmë me dhimbje dhe unë nuk dua që kjo pjesë të shfaqet herë pas here. Nëse kalon vijën e kuqe, duhet çdo njeri të marrë atë që meriton. Ka forma të ndryshme nëse do të ngresh zërin, jo duke shfaqur videon tepër të rëndë. Ka momente që qajmë të dy bashkë, ka momente që dalim. Po e kthejmë në forcë, nuk dua që plaga ime të shfaqet…”

Martin Cani u vra mesditën e 18 nëntorit pasi u qëllua me thikë në bark në shkollën “Fan Noli” në kryeqytet. Sherri mes Canit dhe Përlleshit kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t'u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës që solli dhe vdekjen e 14-vjeçarit./ZËRI

Poll

MOS HUMB