
VLORË- Gjykata e Vlorës ka dhënë masën arrest me burg për Petrit Ndojin, i cili u kap disa ditë më parë në këtë qytet, me 4 mina me telekomandë, të cilat dyshohet se do të përdoreshin në ngjarje kriminale.
Në dëshminë e tij para Gjykatës, Ndoji është shprehur se nuk ka pasur dijeni për minat që ka pasur në qese, të cilën ia kishte dhënë dikush për ta lënë në qytetin e Vlorës.
51-vjeçari pretendon se në ditën kur është kapur me mina ai ishte nisur drejt Ksamilit. Burime bëjnë me dije për Zëri.ai, se Ndoj punonte si agjent imobilar, ndërkohë që nuk dihet nëse prokuroria ka siguruar prova që vërtetojnë implikimin e tij në trafikimin e minave me telekomandë.
“Nuk e dija çfarë kisha në qese. Mund të më kenë futur në kurth, isha nisur për në Ksamil”, është shprehur Ndoji në Gjykatën e Vlorës, ndërsa të njëjtin qëndrim nga mbajtur dhe avokati i tij në një dalje për gazetarët.
Ndaj Ndojit rëndon akuza "mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municioneve."
Gjyqi është zhvilluar me dyer të mbyllura, hetimet vijojnë rreth çështjes se cili është destinacioni i minave si dhe nëse ka bashkëpunëtorë ose jo.