
TIRANË- Vijon “drama” e pacientëve që i drejtohen Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" për rastet e emergjencës, por që nuk mund të marrin dot shërbim për shkak të zjarrit të rënë gjashtë javë me parë në godinën e spitalit. Zjarri që përfshiu godinën e QSUT në 11 shkurt, e ka nxjerrë jashtë funksionit urgjencën. Sipas "CNA", mbyllja e QSUT ka bërë që pacientët të shpërndahen në spitalin universitar të Traumës (Spitali Ushtarak) kur kanë probleme gastrointestinale apo kanë nevojë urgjente për ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa të tjerë duhet të shkojnë në ish-Sanatorium e Tiranës.
Numri i lartë i pacientëve ka bërë që në ish-Sanatorium të shtohet fluksi i urgjencave dhe po ashtu situata është rënduar edhe për spitalin e Traumës. ZËRI është munduar të kontaktojë me QSUT, duke kontaktuar nëpërmjet numrit të telefonit, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Aktualisht, nuk ka ende një datë dhe ende nuk dihet se kur mund të rifillojë të funksionojë normalisht shërbimi i urgjencës në qendrën më të madhe spitalore në vend.
Ndërkohë Prokuroria e Tiranës vazhdon hetimet lidhur me zjarrin që ra në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Për të vijuar me hetimet ditën e sotme Prokuroria ka sekuestruar dosjen e tenderit për rikonstruksionin e godinës dhe ka nisur nga puna. Për t'u marrë në pyetje janë thirrur si autoritetet kontraktuese për tenderin, por edhe kompania fituese që kreu punimet.
Godina e QSUT u përfshi nga flakët mëngjesin e 11 shkurtit. Zjarri fillimisht nisi në zonën e bodrumit dhe më pas tymi është përhapur në të gjithë pavionin, duke rrezikuar asfiksimin e pacientëve. Ekipet e zjarrfikësve bënë të mundur neutralizimin e flakëve, dhe evakuuimin e pacientëve dhe personelit./ZËRI