
VLORË-Rei Meta, autori i vrasjes me grusht të Armando Meshaut, është dënuar ditën e sotme me 3 vite burg. Autorit është pranuar akuza ” vrasje nga pakujdesia” neni 85 , atë që kërkoi prokurori Arjan Xhaferraj ndërkohë që është dënuar me 3 vite nga gjykatësja Dorina Stroka. Prokurori kërkoi 3 vjet e 6 muaj dhe gjykatësja e dënoi me 3 vite. Familjarët e Meshaut kanë kërkuar që ndaj tij të ishte vrasje me dashje por kjo është rrëzuar. I pranishëm në sallë avokatët e Rei Metës dhe babai i autorit.
Ngjarja ndodhi në gusht të 2023 në një kancelari pranë Gjykatës së Vlorës, ku viktima dhe 33-vjeçari, të cilët kishin konflikte pronësie, kishin shkuar të printonin disa dokumente. Fillimisht viktima, Armando Meshau dhe Rei Meta kanë debatur me fjalë dhe më pas ka vijuar sherri me grushte.
Gjithçka nisi për një apartament 60 metra katrorë në Radhimë. Sipas dëshmisë së 33-vjeçarit, Meshau do të shpërblehej me shifrën 7 mijë euro. Por Armando Meshau dyshohet se nuk e kishte dokumentin me vete dhe këtu ka nisur konflikti mes tyre.Teksa po diskutonin me njëri-tjetrin, viktima ka folur me tone të larta dhe autori i është kundërpërgjigjur duke i thënë: “mos më ngri zërin” dhe më pas situata ka agravuar. 55-vjeçari mësohet se e ka ofenduar dhe më pas Rei Meta e ka goditur me grushte. Ngjarja është regjistruar edhe nga kamerat e sigurisë, ndërsa diskutimi mes tyre është dëgjuar edhe nga personat e pranishëm./ZËRI