
TIRANË- Albina Mançka, ish-bashkëshortja e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj është paraqitur sot në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Siç duket edhe nga fotot, Mançka ka shkuar sot në SPAK, për t'u njohur me akuzat e ngritura ndaj saj nga Prokuroria. Po ashtu, Mançka është pyetur nga prokurorët, në lidhje me pasurinë që ka ndarë me ish-zv-kryeministrin e vendit.
Lidhur me vilën që u është sekuestruar në Gjirin e Lalëzit, ajo u shpreh se nuk është në pronësi të saj, por i është lënë për përdorim nga shoqja e saj, e cila jeton në Zvicër. Në rrëfimin e saj, ajo u shpreh se në emër të saj ka vetëm një shtëpi në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Jashtë, e pyetur nga gazetarët për një koment për ish-bashkëshortin e saj, ajo zgjodhi heshtjen!

Pas marrjes në pyetje SPAK i ka ka komunikuar Mançkës dy akuza: atë për fshehje pasurie dhe pastrim parash.
Më 21 mars, vetëm pak ditë më parë, SPAK mbylli hetimet për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, duke e cilësuar si të pandehur për dosjen e inceneratorit të Elbasanit. Por nuk ishte i vetëm në këtë proces. Bashkë me të, u bë me dije se do të ftohej për të dëshmuar edhe ish-bashkëshortja e tij, Mançka. Avokati i saj Ermir Beta u shpreh se ende nuk ishte i qartë për statusin penal të të mbrojturës prej tij, nëse është ngritur ose jo akuzë zyrtare.
Po sot, Prokuroria e Posaçme u ka komunizuar zyrtarisht akuzat ndaj ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, si dhe dy biznesmenëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, në lidhje me inceneratorin e Elbasanit. Por duke qenë se të tre janë në arrati, akuzat u janë komunikuar përfaqësuesëve të tyre ligjorë. Sipas organit të akuzës, Ahmetaj është nën hetim për veprat penale “pastrim parash”, korrupsion në 6 raste, por edhe “fshehje pasurie”./ZËRI