
KUKËS- Një 39-vjeçar i identifikuar me inicialet V.P është vënë nën hetim nga Policia e Kukësit këtë të martë pasi dyshohet se pas një sherri për motive të dobëta ka kanosur me armë gjahu dy kushërinjtë e tij. Ngjarja është regjistruar në fshatin Mserr ndërsa ndërhyrja në kohë e Policisë ka shmangur përshkallëzimin e konfliktit. Ndërkohë në kërkim është shpallur një 19-vjeçar, i cili shoqëronte 39-vjeçarin e vënë nën hetim pasi dyshohet se gjatë konfliktit ka qëlluar me armë në ajër me qëllim kanosjen.
NJOFTIMI I POLICISË:
Menjëherë pas njoftimit se në fshatin Mserr, një shtetas kishte qëlluar me armë, në ajër, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave. Për rastin u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. P., 39 vjeç, banues në fshatin Peraj, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur me armë gjahu, 2 kushërinjtë e tij, shtetasit A. P., 38 vjeç dhe A. P., 37 vjeç. Më tej, u shpall në kërkim shtetasi F. N., 19 vjeç, banues në fshatin Peraj, i cili shoqëronte shtetasin V. P., në momentin e konfliktit, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë në ajër, me qëllim kanosjen. Vijon intensivisht puna për lokalizimin dhe kapjen e 19-vjeçarit./ZËRI