
DURRËS-Gjykata e Durrësit ka lënë në qelitë e paraburgimit pronarin 27-vjeçar të biznesit në Shijak, ku të premten ndodhi një shkëmbim zjarri, gjatë të cilit u plagos një 36-vjeçar. Alban Domi u arrestua nga policia nën akuzën e kanosjes dhe armëmbajtjes pa leje, ndërsa autori i dyshuar i plagosjes dhe një person tjetër që ndodhej me të janë ende në kërkim nga policia.
Përplasja me armë erdhi pas një konflikti mes të arrestuarit Alban Domi dhe 33-vjeçarit Xhejms Palodhi, për shkak se Domi kishte ngacmuar një vajzë me të cilën kishte pasur më parë një lidhje dashurie. I afërmi i vajzës Palodhi ka udhëtuar së bashku me Arbër Hoxhën 30 vjeç drejt biznesit, një dyqan për aksesorë automjetesh, për t’u sqaruar me Alban Domin, por në debat e sipër janë konfliktuar fizikisht me të.
Si ndodhi ngjarja
Plagosja ka qenë aksidentale, pasi Hoxha ishte nisur të sqarohej me vëllezërit Fabio dhe Albano Domi, pronarët e biznesit ku punonte Enidor Dedja. Palët janë takuar për tu sqaruar, por janë përfshirë në një përplasje fizike që ka eskaluar në përdorimin e armëve. Hoxha ka qëlluar dhe plumbi ka kapur Dedjan. Në vendngjarje janë gjetur 20 gëzhoja nga dy lloje armësh, njëra pistoletë TT dhe tjetra Beretta, gjë që ngre dyshimet se kemi pasur të bëjmë me një përplasje me armë. /ZËRI