
TIRANË- Nuk kanë fund skandalet me linjën ajrore "Wizz Air" dhe i radhës është denoncuar në aeroportin e Prishtinës. Udhëtarët pretendojnë për JOQ se për rreth 3 orë janë mbyllur brenda avionit dhe janë detyruar të hapin vetë derën e emergjencës pasi nuk qarkullonte ajër. Destinacioni ishte në Luton dhe sërish pati vonesa të pajustifikueshme.
“Përshëndetje JOQ Kosova! Pasagjerët detyrohen të hapin derën e emergjënsës për shkak se na mbyllën 3 orë pa ajër në aeroportin e Prishtinës. Po prisnim të niseshim për në Luton, por na mbajtën mbyllur, s'kishte ajër dhe hapëm derën e emergjencës, flm”, shkruan qytetari.
Vieë this post on Instagram
Skandali me linjat ajrore
Pak ditë më parë ZËRI solli shqetësimin e qindra qytetarëve që iu ishte shtyrë apo anuluar fluturimi nga Stambolli drejt Tiranës dhe e anasjellta, ndërsa kompania ‘Air Albania’ do të bënte një reagim të shkurtër vetëm gjatë orëve të mbrëmjes. Pa pranuar problemin në mënyrë të përgjithshme, kompania i lidhte vonesat vetëm me sulmin që i kishin bërë shpendët njërit prej avionëve, që më pas do të duhej të riparohej. As "Wizz Air" nuk mbetet mbrapa me skandalet sa i takon shërbimeve ndaj udhëtarëve shqiptarë. Jo më larg se një ditë më parë, 150 pasagjerë që duhet të ktheheshin me kompaninë WIZZ AIR në Tiranë, prej disa orësh u lanë në mëshirë të fatit në aeroportin e Pragës. Qytetarët e kanë ngritur shqetësimin e tyre pranë redaksisë së ZËRIT, ndërsa u ankuan se nuk iu është dhënë asnjë përgjigje nga kompania për vonesën, dhe për kohën e mbërritjes më Tiranë. ZËRI raportoi dhe rastin e këngëtarit Luiz Ejlli, fluturimi i të cilit nga Londra ishte devijuar për në Shkup, për shkak se avioni i WIZZ AIR nuk kishte mundur që të ulej për në Rinas.
Për t'i shkuar deri në fund problemit që qytetarët kanë hasur, redaksia e ZËRI arriti të kontaktonte me Autoritetin e Aviacionit Civil i cili pranoi ëizz Air është operatori ajror me fluksin më të madh të fluturimeve, por edhe me numrin më të madh të anulimeve të kryera. Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil, shkaku kryesor i vonesave ndodh për arsye të vonesave nga një fluturim i mëparshëm, efekti domino. Ky efekt, sipas AAC ka dhënë pasoja në numrin më të lartë të vonesave tek ky operator, e vlerësuar me 7928 fluturime të kryera nga kjo kompani për vitin 2023, 34 prej të cilave janë anuluar./ZËRI