
TIRANË- Telasheve me fluturimet me kompaninë WIZZ AIR, nuk iu ka shpëtuar as këngëtari Luiz Ejlli, i cili teksa ka qenë duke udhëtuar nga Anglia për në Rinas, ka përfunduar në Shkup. Avioni me të cilin ai udhëtonte nuk është ulur dot në aeroportin e Rinasit, dhe pas ecejakeve në ajër, është ulur në aeroportin e Shkupit në Maqedoni. Vetë Luizi ka treguar momentet e panikut, ndërsa tregon se në ndihmë me transportin i kanë ardhur miq të tij.
“Mbrëmë kam parë hata me sy, jo vetëm unë por të gjithë ata që ishin, o Zot faleminderit. Kishte shumë turbulenca dhe nuk u ul dot në Tiranë. U ul në Shkup”, tregon Luzi përmes një videoje në rrjetet sociale. Fatmirësisht popullariteti i Luizit është aq i madh, sa ai ka gjetur ndihmë dhe përtej kufirit, ndërkohë që dhjetra qytetarë janë lënë në mëshirë te fatit në Shkup, pa marrë një përgjigje nga ana e kompanisë.
Kjo nuk është hera e parë që kompania WIZZ AIR, shkakton probleme dhe sorrollatje për pasagjerët. Vetë Autoriteti i Aviacionit Civil ka pranuar për ZËRIN, se kjo kompani rezulton që të jetë më problematikja sa i takon anulimit dhe shtyrjes së fluturimeve.
/ZËRI