
TIRANË- Rreth 100 pasagjerë shqiptarë që do të udhëtonin me linjë direkte nga Praga në Tiranë u lanë mbrëmjen e djeshme në aeroport nga kompania Wizz Air. Qytetarët të cilët u braktisën në Pragë, denoncuan rastin në redaksin e ZËRI-t. Një prej pasagjerëve sqaroi, se pasi fluturimi u shty tre herë, 2/3 e pasagjerëve mbeti në zonën e imbarkimit, pasi avioni i Wizz Air u nis me vetëm 1/3 e pasagjerëve.
Në lidhje e rastin, kompania Wizz Air ka reaguar duke bërë me dije se fluturimi nga Praga në Tiranë i cili ishte i planifikuar të nisej me 25 Mars, në ora 17:50 është vonuar pasi priste mbërritjen e pasagjerëve që po kalonin kontrollin e sigurisë, kontroll i cili ka pasur vonesa të konsiderueshme sipas kompanisë.
Reagimi
Wizz Air konfirmon se fluturimi me numër W4 6632 nga Praga në Tiranë i cili ishte i planifikuar të nisej me25 Mars, në ora 17:50 është vonuar pasi priste mbërritjen e pasagjerëve që po kalonin kontrollin e sigurisë -për fat të keq, procesi i kontrollit të sigurisë në Aeroportin e Pragës ka pasur vonesa të konsiderueshme.
Për shkak të kufizimeve operative në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), nisja ishte e domosdoshmenë mënyrë që të sigurohej mbërritja në kohë në Tiranë. Mosnisja do të rezultonte në pamundësinë për tëzbritur në TIA, duke lënë të gjithë pasagjerët e fluturimit në Pragë.
Duke e kuptuar shqetësimin e shkaktuar nga kjo situatë, u kërkojmë ndjesë të gjithë pasagjerëve të prekur.
Linja ajrore aktualisht po ofron akomodim për pasagjerët në Pragë dhe opsione fluturimi alternative për tësiguruar që pasagjerët të arrijnë në destinacionet e tyre sa më shpejt të jetë e mundur.
Skandali me linjat ajrore
Pak ditë më parë ZËRI solli shqetësimin e qindra qytetarëve që iu ishte shtyrë apo anuluar fluturimi nga Stambolli drejt Tiranës dhe e anasjellta, ndërsa kompania ‘Air Albania’ do të bënte një reagim të shkurtër vetëm gjatë orëve të mbrëmjes. Pa pranuar problemin në mënyrë të përgjithshme, kompania i lidhte vonesat vetëm me sulmin që i kishin bërë shpendët njërit prej avionëve, që më pas do të duhej të riparohej. As "Wizz Air" nuk mbetet mbrapa me skandalet sa i takon shërbimeve ndaj udhëtarëve shqiptarë. Jo më larg se një ditë më parë, 150 pasagjerë që duhet të ktheheshin me kompaninë WIZZ AIR në Tiranë, prej disa orësh u lanë në mëshirë të fatit në aeroportin e Pragës. Qytetarët e kanë ngritur shqetësimin e tyre pranë redaksisë së ZËRIT, ndërsa u ankuan se nuk iu është dhënë asnjë përgjigje nga kompania për vonesën, dhe për kohën e mbërritjes më Tiranë. ZËRI raportoi dhe rastin e këngëtarit Luiz Ejlli, fluturimi i të cilit nga Londra ishte devijuar për në Shkup, për shkak se avioni i WIZZ AIR nuk kishte mundur që të ulej për në Rinas.
Për t'i shkuar deri në fund problemit që qytetarët kanë hasur, redaksia e ZËRI arriti të kontaktonte me Autoritetin e Aviacionit Civil i cili pranoi Wizz Air është operatori ajror me fluksin më të madh të fluturimeve, por edhe me numrin më të madh të anulimeve të kryera. Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil, shkaku kryesor i vonesave ndodh për arsye të vonesave nga një fluturim i mëparshëm, efekti domino. Ky efekt, sipas AAC ka dhënë pasoja në numrin më të lartë të vonesave tek ky operator, e vlerësuar me 7928 fluturime të kryera nga kjo kompani për vitin 2023, 34 prej të cilave janë anuluar./ZËRI