
TIRANË- Gazetari Ferdinand Dervishi tregoi historinë e Gaz Muçës, gangsterit të parë të Tiranës, i cili u vra me armë zjarri në prill të vitit 1992. Ai njihej në Tiranë pasi ftonte në duel personat që mbaheshin si të fortë derisa të triumfonte.
“Gaz Muça i ftonte në duel ata që i shikonte të fortë dhe kishte një çudi se nuk bëri kot emër. Ai edhe nëse e rrihje një herë, edhe nëse e rrihje dy here ai vazhdonte të ftonte ty në duel derisa të të rrihte. Pasi të rrihte dhe të vendoste hegjemoninë. Ky njeri u vra me armë, pra një njeri që të godiste me grusht, u vra me armë. Vrasja e tij me armë në prill të vitit 1992 është pikërisht ajo thyerja që u la pas ajo historia e të fortëve me grusht duke u lënë vendin atyre me armë”, tha Dervishi.
Gazetari Ferdinand Dervishi kujtoi edhe krimet e pakta gjatë kohës së komunizmit dhe shpërthimin e dhunës gjatë viteve ’90, pas rënies së sistemit.
“Në sistemin komunist nuk kishte të fortë, ishte shteti i fortë, kishte të fortë lagjeje po, djem problematikë që shkonin deri tek rrahja, të tjerë që rreshtoheshin nga pas që mbanin nga një thikë, por nuk shkonte më shumë se sa kaq.
Ka pas në Tiranën e asaj kohe edhe ndonjë vepër që ka qenë e fortë. U vodh një dyqan magnetofonash, të cilat kërkoheshin shumë në atë kohë, u vra një plakë që kishte flori, u vodh dhe u vra. Këto ishin një ndër ngjarjet më të tmerrshme që mund të ndodhnin në kohën e komunizmit. Policia e fortë e kohës së Enverit u bë aq e dobët, saqë policët nisën të mbanin vetëm këllëfin e pistoletës me vete sepse ndodhi jo çudi e madhe se vetë sistemi i fuqizoi shumë të fortët e lagjeve”, tha Dervishi.
Dy nga zonat më të rrezikshme në Tiranën postkomuniste të viteve ’90 ishin Rruga Bardhyl dhe ish restorant Durrësi. Në këto lagje, u evidentuan grupet e para dhe më të forta të Tiranës që ishin në rivalitet mes tyre. Grupet kryesoheshin nga Gaz Muça i Rrugës Bardhyl dhe Naim Zyberi i ish restortant Durrësit.
Gazmend Muça ishte dënuar në kohën e monizmit për vjedhjen e një kali. Kjo, do të ishte dita kur do të ndryshonte një herë e përgjithmonë jetën e Gaz Mucës por edhe e familjes së tij. Mbi të gjitha, brumosja në burgun e komunizmit po përgatiste një “të fortë” për regjimin e ardhshëm.
Muça u izolua të vuante dënimin në burgun famëkeq të Spaçit. Birucat e mbushur kryesisht me të dënuar politikë, ndikuan tek ai për t’i shtuar dozat e trimërisë dhe natyrës kryeneçe.
Në periudhën mes viteve 1991-1992, u krijua edhe grupimi i dytë i madh në Tiranë që shtrinte influencën nga stacioni i trenit deri te ish restorant Durrësi. Në krye të grupit ishte Naim Zyberi. Rreth tij, emrat më të spikatur të grupit ishin vëllezrit Hasa, Keta dhe Franc Konomi. Naim Zyberi ishte me origjinë nga Kukësi. Ashtu si Gaz Muça, kishte vuajtur dënim në burgjet e komunizmit. Ai u lirua me amnistinë e vitit 1991, që nxorri në liri të dënuarit politik apo ata për krime të lehta.
Sipas disa dëshmive në fund të viteve 80’, Naim Zyberi ishte konfliktuar me Gaz Muçën. Ky i fundit e kishte sulmuar me thikë, por Naim Zyberi kishte refuzuar të kallëzonte në polici agresorin. Ndërkohë që një pjesë tjetër e dëshmitarëve të kohës, shprehen se këta dy persona nuk kishin patur asnjëherë ndonjë problem me njeri tjetrin. Veç egos që të tregonin se kush ishte më i fortë. Ky zinxhir përplasjesh mes tyre, prodhoi disa viktima, dhe kulmoi me vrasjen e Muçës.