TIRANË- Gjyqtarja Fiona Papajorgji është kandidatura e vetme për kryetare të Gjykatës Kushtetuese. Dita e martë ishte afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave, ndërsa javën e ardhshme pritet të zhvillohet edhe procesi i votimit. Kryetari zgjidhet me votim të fshehtë, për një periudhë 3-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
Papajorgji ka vendosur të kandidojë për të marrë drejtimin e këtij institucioni për 3 vitet e ardhshme, pas përfundimit të mandatit të Holta Zaçaj. Megjithatë, për të marrë drejtimin e Gjykatës Kushtetuese, ajo duhet të marrë të paktën 5 vota nga 8 anëtarët.
Në vitin 2020, Fiona Papajorgji është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Barit, Itali kurse në vitin 2012 ka marrë gradën shkencore “Doktore e shkencave juridike” në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Barit. Në vitet 2000-2008 ka ushtruar profesionin e asistent avokatit dhe me pas të avokatit pranë firmave ligjore në Bari. Papajorgji ka punuar si juriste pranë Drejtorisë së Kërkimeve, Studimeve dhe Botimeve në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2009-2011, ndërsa prej këtj vitin deri në 2019 ka ushtruar detyrën e këshilltares ligjore në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë, prej vitit 2007 e në vazhdim, Papajorgji ushtron mësimdhënien si lektore e së Drejtës Publike në disa universitete kurse në vitin 2019 është angazhuar nga Shkolla e Magjistraturës si pedagoge në dispozicion për vitin e parë të Programit të Formimit Fillestar. Papajorgji është zgjedhur anëtarja e kattërt e Gjykatës Kushtetuese në 2019 dhe do të qëndrojë në detyre deri në 2028./ZËRI