Aktualitet

Fasada me myk e pa ngrohje, studenti rrëfen sfidat në QS: Punoj muajt e verës! Ja sa shpenzoj në ditë

Ronaldo qëndron në godinën numër 2, e cila ende nuk është rikonstruktuar dhe siç thotë ai, lagështira në fasadën e jashtme, dritaret apo dhe ngrohja janë një sfidë me të cilën ai dhe studentët e tjerë duhet të përballen.

Edon Kuqi
Fasada me myk e pa ngrohje, studenti rrëfen sfidat në QS: Punoj muajt
Studenti Ronaldo Kolgjokaj dhe gazetari i ZËRI-t Edon Kuqi

TIRANË- Këtë pasdite jemi në Qytetin Studenti, për tu takuar me Ronaldo Kolgjokajn, një student i Universitetit të Arteve, në degën e aktrimit për tu njohur më nga afër me jetesën në qytetin e nxënësve, i cili çdo vit ka më pak të rinj. Ronaldo qëndron në godinën numër 2, e cila ende nuk është rikonstruktuar dhe siç thotë ai, lagështira në fasadën e jashtme, dritaret apo dhe ngrohja janë një sfidë me të cilën ai dhe studentët e tjerë duhet të përballen.

Pjesë nga intervista:

Ronlado Kolgjokaj: Unë jam Ronaldo Kolgjokaj, 20 vjeç, student i Arteve, Universiteti i Arteve, Fakulteti i Artit Skenik, aktrim, rezident në Qytetin Studenti, godina numër 2.

Edon Kuqi: Pse zgjodhe të vije në Qytetin Studenti?

Ronaldo Kolgjokaj: Unë kam dy vite, që në vitin e parë të studimeve të mia. Zgjedhja është për faktin, sigurisht është një mundësi shumë e mirë për studentët, por dhe duke marrë parasysh qiratë që janë  goxha të shtrenjta nëpër Tiranë, këtu ishte opsioni më i favorshëm. Një arsye tjetër është se unë e kam shkollën afër.

Edon Kuqi: Përpos gjithë aksesueshmërisë që të ofron, do të ndalemi pak tek jeta brenda godinës numër 2. Me sa banor të tjerë e ndan dhomën? Na trego pak më shumë detaje

Ronaldo Kolgjokaj: Jemi tre çuna në dhomë. Jam në katin e parë. Godina është një nga godinat, të cilat nuk janë rokonstruktuar akoma. Dhoma mund të jetë diku tek 20 metra katrorë. Është një dhomë e vogël për tre veta.

Edon Kuqi: Si janë kushtet?

Ronaldo Kolgjokaj: Dushet janë me orare, nga ora 08:00 e mëngjesit deri në 20:00 të darkës. Sfida kryesore është ngrohja. Është një ndër të vetmet sifida që është më e vështirë se të tjerat. E kemi menaxhuar bashkë me shokët e dhomës. Kemi marrë ngrohëse, e kemi siguruar vetë. Këto janë problematike, se kjo është një godinë e parikonstruktuar akoma. Dimrin e bën sfidues fasada e godinës, pasi është një fasadë e vjetër edhe termoizolimi ka probleme. Ajo me lagështirë mund të krijojë myk. Është në fasadën e jashtme, por kur hap dritaren sigurisht ndikon.  Dritaret kanë pak nevojë për rikontrktim, pasi gjatë dimtit kur fryn era e fortë, nuk flet dot pasi dan dan dan. Tualetet dhe koridoret janë optimale.

Më tej Ronaldo na tregon dhe se si e përballon jetesën në Tiranë si student, sa para shpenzon dhe kush është burimi i tij i të ardhurave, pasi siç shprehet ai oraret në shkollë nuk i lënë shumë mundësi të punojë. Prandaj ai zgjedh të punojë tre muajt e verës, për ti dhënë një shtysë vetes për vitin e ardhshëm akademik.

Pjesë nga intervista

Edon Kuqi: Sa shpenzon në muaj?

Ronaldo Kolgjokaj: Duke bërë një kalkulim, duhen 350 mijë lekë të vjetra, për një student që të kalojë një muaj, sigurisht pa pasur problematike nga ana financiare.

Edon Kuqi: Çfarë përfshijmë këtu?

Ronaldo Kolgjokaj: Më së shumti ushqimin, por janë dhe nevojat e tjera që gjithësecili prej nesh i ka.

Edon Kuqi: Po në ditë? Sa para i duhen Ronaldos në ditë?

Ronaldo Kolgjokaj: Një shumë minimale, që i duhet një studenti dhe më duhet mua, është 15 mijë lekë të vjetra. Sigurisht duke kursyer dhe duke e mbledhur dorën. Përfshihet ushqimi, kafja, cigaret, nevojat që ka gjithësecili prej nesh. Ne jemi studentë dhe jeta është shumë e shprejtë dhe ti nuk e kupton në darkë se ke harxhuar kaq lekë.

Edon Kuqi: Thamë që një pjesë e shpenzimeve të tuaja shkojnë për ushqmin, nuk gatuan në dhomë?

Ronaldo Kolgjokaj: Jo sepse dhoma nuk i ofron mundësitë që ne të gatuajmë pasi është një dhomë e vogël për tre veta. Ushqimin e sigurojmë jashtë, në mensa, fast food-e. Në qytet studenti, çmimet janë të arsyeshme për ne studentët.

Edon Kuqi: Sa kushton një vakt i thjeshtë?

Ronaldo Kolgjokaj: Një vakt i thjeshtë, ta themi kështu mund të ngopesh, shkon tek 3 mijë lekë të vjetra.

Edon Kuqi: Kur e gjen hapësirën për të punuar?

Ronaldo Kolgjokaj: Vera është një kundësi shumë e mirë për ne strudentët që të krijojmë një bazë monetare që ti japim një tranpolinë vetes për vitin shkollor. Gjatë verës shfrytëzojnë bregdetin dhe mundësitë që na jep për punë dhe që të mbledhim një shumë, sa ne arrijmë të bëjnë se tre muaj nuk është se janë dhe aq shumë. Vitin e kaluar bazën monetare për të filluar vitin e kam krijuar në Velipojë.

Edon Kuqi: Kush është pagesa e parë që bën në momentin e parë që mbyllet puna e sezonit dhe ti do të rikthehesh në Tiranë?

Ronaldo Kolgjokaj: Vitin e kaluar në verë sapo kam marrë rrogën e parë të punës në sezon kam paguar konviktin, gjënë e parë që kam bërë. Pastaj kam mbledhur paratë për nevojat, asetet që secili prej nesh si student i ka të nevojshme dhe sigurisht për një tranpolinë për vitin shkollor.

Edon Kuqi: Tani, si gjithë shqiptarët, unë do bëj “avokatin e djallit”, sa lekë merr ti 3 muajt e verës?

Ronaldo Kolgjokaj: Për tre muaj vere, unë vitin e kaluar kam punuar dy punë gjatë sezonit veror në bregdet dhe për këto gati 3 muaj kam marrë gati 3 mijë euro.

Edon Kuqi: Kur niste dita jote atje, duke marrë parasysh dhe temperaturat e larta?

Ronaldo Kolgjokaj: Të them të drejtën është një ferr i vërtetë. Unë kam punuar dy punë. Kam punuar banakier paradite, dy turne, nga ora 06:00 e mëngjesit deri në 18:00 pasdite, pastaj tek një kënd lojërash, aty kam bërë një llojë asistence dhe çdo gjë përsëritej 2 muaj e gjysmë. Është një sakrificë, por që kur mendon rezultatin dhe kur mendon se do i japësh një dorë vetes për fillimin e shkollës, nuk e mendon dy herë lodhjen.

Edon Kuqi: Sa dalin 3 mijë euro për 9 muaj që ti je në Tiranë?

Ronaldo Kolgjokaj: Nga 3 mijë euroshi hiq pagesën e konviktit, hiq pjesën e gjërave personale, qoftë rrobat, qoftë gjërat që ke nevojë ti rinovosh. Dalin për diku tek tre katër muaj, që ti të kesh mundësi që të kesh një bazë finance optimale për këto muaj. Unë kam fatin që përfitoj dhe bursë, 100 mijë lekë të vjetra, që është një dorë për muajin, por që pjesën tjetër e mbyll familja.

Edon Kuqi: E ke menduar ndonjëherë që të dalësh në shtëpi me qira?

Ronaldo Kolgjokaj: S’të del llogaria. Por në një të ardhme jo fort të largët, do kem dhe unë nevojë të shoh për shtëpia me qira. 

Më pas u zhvendosëm në Universtetin e Arteve, për tu ndalur tashmë tek sfidat e të bërit art në Shqipëri.

Pjesë nga intervista:

Edon Kuqi: Sa e vështirë është të bësh art në Shqipëri?

Ronaldo Kolgjokaj: Tregu në Shqipërisë përsa i përket artit është i limituar, por është goxha i vështirë. Ne kemi pak teatro në krahasim me teatrot e botës që sigurisht kanë zhvillim më të lartë. Problematikë tjetër përsa i përket tregut është dhe kërkesa. Shqiptarët kanë kërkesë të ulët tanimë për tetarin, sa i përket viteve më parë. Teatri tani po e merr veten me të rinj, të cilët po angazhohen në teatër dhe që po i japin frymë të re teatrit, por sfidat në art ngelen.

Edon Kuqi: Një student sa e sheh veten në treg nesër kur të mbarojë studimet?

Ronaldo Kolgjokaj: Siç thashë tregu është i limituar dhe ta shikosh veten në Shqipëri, është shumë sifiduese. Mendoj se mundësi ka për të rinj e të reja që duan vërtetë të bëjnë art. Pavarësisht se tregu është i vogël dhe ekzistojnë monopolet, ka mundësi. Unë gjithmonë kam qenë me parimin që në qoftë se ke mjaftueshëm vullnet dhe dëshirë ta bësh diçka, mund ta bësh dhe vazhdoj akoma ta kem këtë optimizëm në vete.

Edon Kuqi: Mendon se realiteti që mund të përballesh nesër, do ta cungojë pak këtë optimizmin? Ke menduar ndonjëherë të largohesh nga Shqipëria?

Ronaldo Kolgjokaj: Patjetër, ekziston opsioni që dashtë zoti të kryejmë një master jashtë shtetit, ku atje mund të kemi një shkollë që është dhe më e specializuar se e jona dhe sigurisht të kthehem në vendin tim dhe të jap kontributin./ZËRI

Poll

MOS HUMB