
KOSOVË- Prokuroria e Kosovës do të kërkojë 30 ditë paraburgim për Naim Murselin, Granit Plavën dhe një autor tjetër të dyshuar, emri i të cilit nuk është bërë ende me dije. Naim Murseli akuzohet se ka urdhëruar vrasjen e gruas së tij Liridona Murseli natën e 29 nëntorit ku dhe iu zu pritë nga Granit Plava dhe bashkëpunëtori i tij. Prokuroja e çështjes Besa Limani tha për Nacionalen se data e gjyqit nuk është vendosur ende.
Besa Limani: Unë jam Prokurorja e rastit, po do të kërkojmë 30 ditë paraburgim, ende nuk e dimë se kur do të mbahet seanca, dhe ajo do të mbahet sipas ligjeve dhe afateve të parapara që janë në procedurë penale. Nuk e di saktë, sepse ende jemi në fillim dhe këta janë të ndaluar për momentin.
Ndërkohë Naim Murseli ka pranuar në Polici se ka urdhëruar vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Murseli. Por motivet e këtij krimi të rëndë mbeten ende të paqarta. Ky rrëfim i Naim Murselit vjen pas “zbërthimit” të ekzekutorit Granit Plavës, i cili tregoi se Naimi i kishte premtuar 30 mijë euro për eleminimin e të shoqës.
Ngjarja e rëndë që tronditi opinion publik u regjistrua mbrëmjen e vonë të 29 nëntorit në dalje të Prishtinës, në rrugën “Dalip Alshiqi’. Fillimisht u raportua se Liridona Murseli u vra gjatë një tentative grabitjeje nga persona të armatosur, por këtë të premte u zbulua se kjo ishte vrarë nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, ish-këshilltari i ish-Presidentit të Kosovës Behgjet Pacolli. Naim Murseli e kishte nxjerrë 33-vjeçaren në pritën e plumbave, duke e ekzekutuar me dorën e Granit Plavës, i cili u ‘zbërthye” para Policisë dhe deklaroi se Naim Murseli i kishte premtuar 30 mijë euro për eleminimin e të shoqës. Ndërkohë vetë Murseli nuk ka folur para hetuesve. Motivet e ngjarjes ende nuk dihen./ZËRI