VLORË-Një incident i rëndë raportohet të ketë ndodhur në Radhimë, ku persona të armatosur kanë kërcënuar pronarin e Hotel Regina, Vasil Bedinaj. Burime për ZËRI bëjnë me dije se 10 persona me mjete të ndryshme të pajisur me armë zjarri të tipit kallashnikov i kanë shkuar Bedinajt në ambjentet e hotelit të tij. Ende nuk dihet shkaku i ngjarjes, apo detaje konkrete se çfarë ndodhi saktësisht në hotel Regina, i cili 'u rrethua' nga personat e armatosur.
Pika kontrolli janë ngritur në hyrje-dalje të qytetit bregdetar për të identifikuar dhe ndaluar personat e përfshirë në ngjarjen e rëndë, ndërsa një reagim zyrtar pritet nga autoritetet.
Biznesmeni Vasil Bedinaj nuk është hera e parë që përfshihet në incidente apo ngjarje të rënda. Në korrik të 2025 u përfshi në dhunën ndaj kamarierit 18-vjeçar, Ron Balaj. Ky i fundit u dhunua nga ish-oficeri i Policisë Kufitare Dibër, Ardian Isufi së bashku me Leart Bimon. Vasil Bedinaj ndërhyri në konflikt duke dhunuar ish-efektivin. Rasti asokoho tronditi opinionin publik, ku një reagim pati edhe nga vetë kryeministri Edi Rama.
Edhe në verën e 2024 Bedinaj u filmua duke goditur me grusht një qytetar pas një debati për hapësirën në plazh. Pak pas publikimit të pamjeve, Bedinaj u shfaq në video me personin që e qëlloi me grusht, duke thënë se ngjarja kishte ndodhur para një muaji e gjysëm dhe se të dy ata janë biznesmenë në Vlorë, në sektorin e turizmit.


