VLORË-Oficeri i Policisë Kufitare Dibër, Ardian Isufi është pezulluar nga detyra pasi dhunoi kamarierin e një hoteli në Vlorë. Policia njofton se Isufi ndodhet në spital, pasi pronari i biznesit, Vasil Bedinaj kur ka parë skenën dhe faktin që kamerieri i tij është dhunuar, ka ndërhyrë duke e rrahur.
E gjithë ngjarja ka ndodhur në sy të klientëve, si shkak i një shishe uji. Kamarieri 18-vjeçar, kishte çuar në tavolinën ku ndodheshin autorët një shishe uji më shumë se porosia. Isufi dhe Leart Bimo, fillimisht kanë dhunuar 18-vjeçarin, por konflikti ka marrë përmasa më të mëdha kur në mbrojtje të kamerierit ka ndërhyrë pronari i lokalit, shtetasi Vasil Bedinaj, 53 vjeç, një emër i njohur në Vlorë si pronar i “Regina Group”.
Biznesmeni nuk është hera e parë që përfshihet në një konflikt fizik, ku një vit më parë u filmua duke goditur me grusht një qytetar pas një debati për hapësirën në plazh. Pak pas publikimit të pamjeve, Bedinaj u shfaq në video me personin që e qëlloi me grusht, duke thënë se ngjarja kishte ndodhur para një muaji e gjysëm dhe se të dy ata janë biznesmenë në Vlorë, në sektorin e turizmit.
Njoftimi i policisë:
Pezullohet nga detyra një oficer policie i përfshirë në një konflikt fizik jashtë shërbimit, në qytetin e Vlorës
Pas përfshirjes jashtë orarit të shërbimit në një konflikt fizik, në ambientet e një lokali në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rrethanave, të oficerit të Policisë Kufitare Dibër.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ndaj Nënkomisar A. I., me detyrë Oficer Policie në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, procedurën disiplinore të rëndë, bazuar në Ligjin nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, që parashikon masa për:
-raste të sjelljeve që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut tek Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës;
-kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionit apo shërbimit policor në tërësi.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se Nënkomisar A. I., jashtë shërbimit dhe në shoqërinë e shtetasit L. B., 57 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, është konfliktuar fillimisht fizikisht me shtetasin A. B., 18 vjeç. Pas përshkallëzimit të konfliktit, janë përfshirë edhe shtetasit V. B., 53 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “Pavarësia 2”, dhe E. M.
Aktualisht, Nënkomisar A. I. ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë.
Për këtë rast vijojnë veprimet procedurale nga oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur të reagojë me vendosmëri ndaj çdo rasti që cenon besimin e qytetarëve. Ajo fton qytetarët të denoncojnë çdo veprim të paligjshëm apo sjellje të papërshtatshme nga punonjësit e saj, duke garantuar trajtim të paanshëm dhe konform ligjit.


