
TIRANË- Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë së Tiranës ndërsa bashkëpunëtori i tyre është shpallur në kërkim pasi akuzohen se kanë dhunuar dhe marrë peng një 20-vjeçar në sheshin "Skënderbej". Policia bën me dije se në pranga ka rënë dhe një person tjetër pasi ka pasur dijeni dhe nuk e ka kallëzuar krimin. Blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se ndaj të riut është ushtruar dhunë e vazhdueshme gjatë gjithë kohës që është mbajtur peng nga të arrestuarit.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë. I hoqën lirinë një shtetasi dhe ushtruan dhunë ndaj tij, arrestohen 2 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre. Gjithashtu, u arrestua 1 shtetas tjetër që ka patur dijeni për ngjarjen, por nuk e ka kallëzuar në Polici. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas kallëzimit të marrë ditën e sotme nga një 20-vjeçar, se 3 shtetas i kishin hequr lirinë dhe kishin ushtruar dhunë ndaj tij, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tyre. Si rezultat: - u arrestuan shtetasit D. B., 36 vjeç, dhe E. H., 31 vjeç, dhe u shpall në kërkim shtetasi H. P., 19 vjeç, për veprën penale "Heqja e paligjshme e lirisë"; - u arrestua shtetasi T. K., 28 vjeç, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit". Shtetasit D. B., E. H. dhe H. P., dyshohet se për motive të dobëta, kanë marrë me forcë në sheshin "Skënderbej", një 20-vjeçar, ndaj të cilit kanë ushtruar dhunë në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa shtetasi T. K. ka patur dijeni për ngjarjen, por nuk e ka kallëzuar atë në Polici. Materialet i kaluan Prokurorisë.