
TIRANË- Dosja e plotë e SPAK po zbardhet duke hedhur dritë në çdo rresht lidhur me atentatet që planifikoheshin nga personazhe të botës së krimit, brenda dhe jashtë qelive. Në këtë fraksion zbardhet një tjetër bisedë e bërë mes Ervis Martinajt, Arben Ndokës Emiljano Shullazit, Marklen Hakës, që të gjithë bashkë kishin vetëm një qëllim; vrasjen e vëllezërve Bami. Për kokën e tyre ishin caktuar gati 1 milionë euro, por aq para nuk vijnë me besimin e verbër mes "ortakëve". Edhe mes tyre ka dyshime!
Emiljano Shullazi i shkruan nga burgu Arben Ndokës që të mos i tregojë Ervis Martinajt që ia jep ai përmes Marklen Hakës informacionet për vendin ku ndodhet Durim Bami. Se përse, kjo është e paqartë. Ndërkohë që Shullazi mbledh informacione nga qelia e burgut "313", Ndoka ka marrë përsipër gjetjen e "gjuajtësve", ndërsa furnitori me para është Ervis Martinaj.
"Kam një njeri që më jep informacione për Durin (Durim Bamin), s'është Marklen Haka. Por mos i thuaj Visit që flasim bashkë se kjo dëmton planin."
Sipas informacioneve që merr Shullazi dhe ia kalon Ndokës, Durim Bami ka dy makina me të cilat lëviz. Njëra është një makinë e blinduar dhe tjera një Range Rover, me të cilën më pas do t’i bënin atentat.
“Mua më thanë që e kanë parë në Gjirin e Lalzit. Madje lëviz edhe nëpër Tiranë te bar A.. te Oxhaku e kanë parë. Lëviz lirshëm ai. Ngreje pak atë Bertin se aty te bilardoja ja gjen terëzinë se s’ka kamera. Pas Durit, vrasim edhe Valterin,”- shprehet ndër të tjera Shullazi në lidhje me Durim Bamin.
Më pas, proukurorët e SPAK kanë zbuluar edhe biseda mes Arian Tukut dhe Arben Ndokës në lidhje me vrasjen e Durim Bamit, por edhe të Valterit, vëllait të tij. Mes të tjerash, Tuku i thotë Ndokës në një bisedët të bërë në korrik 2020, se “me kismet zotit, bëjmë pastrim total deri në shtator dhe ua shuajmë rracën” duke iu referuar Durim dhe Valter Bamit.
Tuku thotë se duhet që pas Durimit të ekzekutohet dhe Valter Bami pasi “mund të marrë azil diku dhe zhduket”./ZËRI