Aktualitet

E rëndë në Pogradec! Po riparonte një defekt, humb jetën elektriçisti...qëndroi disa minuta pa shenja jete në shtyllë (EMRI-VIDEO)

Burime bëjnë me dije se pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme, nuk ka qenë e mundur shpëtimi i jetës së tij.

zh.ll
E rëndë në Pogradec! Po riparonte një defekt, humb
vendngjarje

POGRADEC- Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të dielë në fshatin Zërvaskë, në Pogradec, ku një elektriçist ka humbur jetën gjatë punës, teksa ishte duke punuar për riparimin e një defekti në rrjetin elektrik. Viktima është Agim Beqiri, rreth 60-vjeç, i cili dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe për pasojë, ai ka humbur jetën në vendngjarje.

Sipas informacioneve paraprake, Beqiri kishte konstatuar një defekt në rrjetin e ndriçimit rrugor që një ditë më parë dhe ishte rikthyer këtë të diel për të kryer riparimin. Mësohet se ai po punonte për zëvendësimin e një llambe në një shtyllë elektrike.

Kryeplaku i fshatit Gështenjas të Pogradecit ka folur për ngjarjen e rëndë, duke rrëfyer se 60-vjeçari kishte shkuar një ditë më parë për të konstatuar defektin dhe ishte rikthyer sot për ta riparuar. Sipas tij, Beqiri punonte prej shumë vitesh në mirëmbajtjen e linjave të ndriçimit, ishte i rregullt dhe nuk hezitonte të dilte në punë edhe në ditët e pushimit.

“Sot ishte punonjësi i komunës për defektet e linjave të ndriçimit. Ishte një person që punonte në komunë prej shumë kohësh, ishte një burrë shumë i mirë, i rregullt, i sinqertë, punonte shumë dhe ditët ë pushimit meqë kishte probleme fshati, erdhi e konstatoi mbrëmë defektin dhe erdhi ta bënte sot. Shumë keq më ka ardhur, t’i rrojnë fëmija. Ngushëllime familjes”, rrëfeu ai.

Sipas burimeve, dyshohet se në shtyllë ndodheshin dy linja tensioni. Dyshohet se elektricisti kishte ndërprerë energjinë vetëm në njërën prej tyre, ndërsa linja tjetër kishte mbetur nën tension. Pikërisht kontakti me këtë linjë dyshohet se i ka shkaktuar goditjen fatale nga rryma elektrike.

Sipas të njëjtave burime, elektricisti ka qëndruar për disa minuta pa shenja jete në shtyllë, ndërsa shërbimet e emergjencës kanë ndërhyrë për të bërë të mundur zbritjen e trupit të pajetë, i cili ishte i lidhur me pajisjet e sigurisë.

Grupi hetimor ndodhet në fshatin Zërvaskë dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa pritet edhe konfirmimi zyrtar nga policia për shkaqet e aksidentit./ZËRI

Poll

MOS HUMB