
TIRANË- Rajmonda Dashi kishte marrë përsipër që të "pastronte" paratë e dy vëllezërve, Leonard dhe Besian Ramaj. Në këto përfundime ka dalë Prokuroria e Posaçme. Mëngjesin e sotëm, ish-drejtuesja e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi u vendos në pranga në ambientet e vendit të ri të punës. Prej kohësh ajo ishte emëruar specialiste për zonën e Vorës dhe Kamzës, e pikërisht në ambientin e saj të ri të punës, i kishin shkuar efektivët e Policisë dhe agjentët e BKH-së, të cilët i sekuestruan menjëherë telefonin. Bashkë me të në pranga ka përfunduar dhe një person tjetër, biznesmenin Ardian Malasi.
Të dy së bashku kishin marrë përsipër që të "pastronin paratë" me një grup kriminal që aktivitetin e ka pasur jashtë shtetit, më konkretisht në Belgjikë. Hetimi i nisur nga SPAK ka ardhur pas një letërporosie të mbërritur nga Belgjika që u lidhi fijet me ish-drejtuesen e komanduar të Kadastrës Durrës, Rajmonda Dashin, dhe bizesmenin.
Por si funksiononte skema?
Dy vëllezërit kanë transferuar pasuri në vendin tonë, me qëllim fshehjen e orgjinës së paligjshme sesi i kanë përfituar këto të ardhura, duke i investuar në pasuri të paluajtshme. Kështu kanë mundur që të "fshehin" dhjetra apartamente të ndara në Fier dhe në Tiranë, e po ashtu plot 27 llogari bankare. Gjithsej është bërë sekuestrimi i 49 pasurive në total, dhe në veçanti 12 apartamente në Fier, 4 në Tiranë, 3 garazhe Tiranë, 27 llogari bankare, 1 shoqëri tregtare dhe 2 makina. Por hetimi vazhdon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale dhe identifikimi i pasurive të tjera.
Aktualisht, Rajmonda Dashi ishte emëruar specialiste për zonën e Vorës dhe Kamzës. Në dhjetor 2021, ajo dha dorëheqje të parevokueshme nga drejtimi i komanduar në Durrës, pas kërkesës për t’u larguar nga drejtuesi i asaj kohë i Kadastrës, Artan Lame. Arsyet për largimin e saj nuk u shpjeguan kurrë për publikun as nga Lame dhe as nga vetë Dashi.
E vetmja gjë që pranoi ishte fakti që nënshkrimi i dorëheqjes i ishtë kërkuar nga vetë shefi i saj. Por telashet e ndoqën edhe në detyrën e re. Në qershor 2022, Rajmonda Dashi ka qenë e pezulluar nga detyra në Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me 2 të tjerë, pas nisjes së një hetimi nga Prokuroria e Tiranës, iniciuar nga një kallëzim i mbërritur te akuza. Në atë kohë Gjykata e Tiranës caktoi “detyrim paraqitje” për Dashin, masë e cila është zbutur në muajt në vijim dhe rikthim të saj në detyrë.
Deri sot... kur në duar i janë vendosur prangat, e tani duhet të japë llogari para drejtësisë./Zëri.ai