
TIRANË- Dorian Duçka është personazhi më i fundit që është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Nga të dhënat paraprake që ka mundur të mësojë "Zëri.ai", është zbuluar se Duçka është thirrur për të dëshmuar lidhur me çështjen e ish-agjentit të FBI-së amerikane, Charles McGonigal. Pas 4 orësh, në momentet kur ka dalë nga ambientet e SPAK, i pyetur nga gazetarët në lidhje me çështjen e McGonigal, Duçka tha se duhet të shkojnë që të pyesin DASH.
PJESË NGA PRONONCIMI:
Dorian Duçka: Mund të pyesni Departamentin e Drejtësisë në Amerikë.
Për CEZ-DIA u pyetët?
Dorian Duçka: Jo!
Në Shqipëri, Dorian Duçka u kthye në qendër të diskutimeve për çështjen e ndërhyrjes te ish-shefi i kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal për të nisur një hetim ndaj opozitës me informacione që vinin nga Shqipëria. Në akt-akuzë, Duçka përshkruhet si "Personi B", një njeri i punësuar në qeverinë shqiptare. Vetë kryeministri Edi Rama ka thënë se Duçka punonte si këshilltar i Jashtëm pa pagesë, ndërsa ka mohuar që ai të ketë paguar në emër të qeverisë shqiptare agjentin e FBI.
DOSJA McGonigal
Në dosje u zbulua se McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI. Vetë Rama deri më tani ka pretenduar se akuzat e ngritura ndaj McGonigal nuk kanë lidhje me të.
Megjithatë duket se kjo dosje tani është në duart e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërkohë që vetëm pak javë më parë, maxhoranca rrëzoi kërkesën e opozitës për të ngritur një Komision Hetimor në Kuvend lidhur me çështjen./Zëri.ai