
TIRANË- E hëna e 20 Nëntorit pritet të jetë një ditë e ngarkuar me zhvillime të politikës, drejtësisë dhe futbollit, ku ngjarjet që do të nisin ditën janë shumë larg përjetimeve që dhuron Kombëtarja Shqiptare. Zëri.ai ju sjell një përmbledhje të zhvillimeve që pritet të ndodhin gjatë ditës së nesërme, nga seanca që do të mbahet në Kuvend, ku priten trazira, te përballjet e ndryshme që kanë zgjedhur me drejtësinë Sali Berisha dhe Ilir Beqaj. Në mbrëmje është koha e emocioneve të bukura që di ti dhurojë vetëm Kombëtarja Shqiptare e Futbollit.
SEANCA MES TRAZIRAVE NË KUVEND
Gjatë ditës së nesërme në axhendën e seancës plenare të Kuvendit, që nis në orën 10:00 parashikohet diskutimi dhe votimi në parim i projektbuxhetit të vitit të ardhshëm. Opozita ka paralajmëruar se do të shkaktojë kaos në sallën e Kuvendit, pavarësisht masave të shtuara që sipas tyre do të ndërmerren nga Garda e Republikës. Ishte kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, ai që publikoi gjatë ditës së djeshme një foto, ku sipas tij punonjësit e Gardës po merrnin udhëzime për të bllokuar deputetët e opozitës. Fotoja u përgënjeshtrua në disa media, nga Kuvendi, edhe pse jo zyrtarisht, ku u tha se Lindita Nikolla nuk kishte dhënë asnjë urdhër për shtimin e masave. Projektbuxheti është një prej ligjeve më të rëndësishme që kalon në Kuvend, dhe mbetet për t’u parë nëse votimi i tij gjatë ditës së nesërme do të ketë të njëjtën fat si diskutimet nëpër komisione, të cilat u mbajtën online, pa debat dhe pa praninë e deputetëve të opozitës. Bardhi dhe Berisha nuk kanë dhënë detaje se si do të jetë aksioni i tyre, mirëpo në seancat e fundit i kemi parë deputetët e PD të ndezin tymuese në sallën e Kuvendit, duke e pamundësuar zhvillimin normal të diskutimeve.
ORËT E BERISHËS
Paralelisht me aksionin opozitar, në krye të të cilit qëndron Sali Berisha, në kohën kur mesiguri do të jetë duke udhëhequr deputetët në sallën e Kuvendit, ish-kryeministrin e presin dy përballje me drejtësinë. Fillimisht në orën 09:00 të mëngjesit në apelin e Gjykatës së Posaçme zhvillohet seanca për Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin, ku të dy përmes avokatëve kanë kërkuar heqjen e masës së sigurisë dhënë nga shkalla e parë. Një orë më vonë Berisha duhet të paraqitet përpara oficeres së SPAK Adelajda Metaj, duke iu referuar vendimit të GJKKO-së. Vetë lideri i demokratëve ka zgjedhur që të mos përballet me drejtësinë, me arsyetimin se masa e sigurisë ndaj tij është antikushtetuese. Në rast të mosparaqitjes së Berishës për herë të dytë para policisë gjyqësore, SPAK mund të kërkojë një masë më të rreptë sigurie si ajo e "arrest shtëpie" për ish-kryeministrin, e për këtë do të duhej që t’i drejtohej Kuvendit, për heqjen e imunitetit. Vetë Berisha është shprehur se në rast se kërkesa do të drejtohej në Kuvend, vetë ai do të shprehej pro heqjes së imunitetit.
BEQAJ ‘JEP SHEMBULLIN’ E TIJ
Nëse Sali Berisha ka zgjedhur që të sfidojë SPAK, Ilir Beqaj, një prej ish-ministrave të qeverisë Rama, ka zgjedhur që të bëhet ‘kokë turku’ duke pranuar masën e sigurisë detyrim paraqitje që GJKKO ka dhënë ndaj tij. Gjatë ditës së nesërme ai do të paraqitet në ambientet e GJKKO-së, ku do të njihet me masën e sigurisë, të cilën gjatë ditës së djeshme tha se nuk do ta ankimonte. Edhe pse shprehu rezerva mbi hetimet e SPAK, Beqaj tha se në fund të këtij procesi emri i tij do të dilte i pastër nga çdo akuzë. Beqaj, është nën akuzë nga SPAK për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga Kodi Penal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë” në lidhje me koncensionin e sterilizimit, për të cilin gjenden pas hekurave biznesmenë dhe zyrtarë të tjerë. Beqaj duhet të paraqitet çdo të premte para policisë gjyqësore, si dhe i ndalohet dalja jashtë vendit pa vendim gjykate. Beqaj drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik të Koordinimit të Ndihmës, nën varësi të Kryeministrit, një strukturë më e rëndësishme se një Ministri në qeverinë Rama. (Beqaj u dorëhoq pasditen e të shtunës pas njoftimit publik të SPAK për masën ndaj tij).
-
Nën hetim nga SPAK, Beqaj: Kam rezerva për vendimin
18 Nëntor, 16:11 -
Iu caktua masa e sigurisë, Beqaj jep dorëheqjen si Drejtor i SASPAC
18 Nëntor, 14:20 -
MBRËMJA SJELL ‘ILAÇIN’ KUQEZI
Kombëtarja shqiptare e futbollit luan nesër ndeshjen e fundit në grupin E, ku ka siguruar kualifikimin për në euro 2024. Në rast fitoreje, Shqipëria do të renditej e para në këtë grup, duke pasur shanse më të mira për përballjet që e presin vitin e ardhshëm në Berlin. Interesi i tifozëve për këtë ndeshje pritet të jetë i jashtëzakonshëm, pavarësisht nivelit që paraqesin ishujt Faroe, pasi pas vërshëllimës së fundit të arbitrit, Tirana dhe e gjithë Shqipëria pritet që të festojë edhe në rrugë kualifimin për herë të dytë në një europian. Skuadra e Silvinjos në këto muajt e fundit ka ditur të bëjë më së miri atë që nuk e ka bërë dot politika e këtyre 33 vite tranzicion. Të lartësojë sa më lart ngjyrat kuqezi në renditjen europiane dhe botërore.
/ZËRI.AI