
TIRANË-Tarifat e shërbimeve për patentat janë dyfishuar apo trefishuar, prej 16 janarit. Shkresa është firmosur nga Drejtoria e Përgjithshme të Transportit Rrugor dhe është miratuar nga Ministria e Infrastrukturës.
Për të dhënë provimin e njohurive teorike kur nuk e fiton testin teorik në provimin e parë duhej të paguaje 400 lekë si tarifë, ndërsa tashmë duhet të paguash 1200 thuhet në dokument. Gjithashtu për riprovimin e testit të praktikës kur më parë do paguaje 500 lekë tashmë do të paguash 4-fish më shumë. Për t’u pajisur me leje drejtimi për të gjitha kategoritë nga 3500 lekë tashmë do paguhet 4500 lekë.
Ndërkohë Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka publikuar çmimet e reja për marrjen e patentave. Sipas DPSHTRR ky indeksim i çmimeve është bërë për uljen e shpenzimeve indirekte dhe përfitojnë mbi 189 mijë qytetarë. Tarifat e shërbimit për lejen e drejtimit do të hyjnë në fuqi më datë 5 Shkurt 2024.
NJOFTIMI I PLOTË:
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, prej disa vitesh tashmë, ka ndërmarrë një sërë nismash për lehtësimin e shumë praktikave dhe burokracive që lidhen me shërbimet që ajo ofron. Nga ana e DPSHTRR-së është bërë rishikimi dhe indeksimi i të gjithë tarifave dhe shërbimeve. Nga një analizë e hollësishme rezulton se shtrirja e këtyre shërbimeve në afate kohore, duke eleminuar detyrimin e paraqitjes në sportel, lehtësimin e kalimit nga një kategori në një tjetër, si dhe uljen e shpenzimeve indirekte (përllogaritur këtu në 7,569,450 kilometra vajtje/ardhje, 529,862 litra karburant, 12,616 ditë pune/vit kohë e shpenzuar), nuk mund të konsiderohet si rritje tarifash, por përkundrazi rezulton një kursim mesatar prej 4,170 lekë për qytetar në vit.
Shembujt e ilustruar më poshtë, tregojnë qartë si më sipër:
• Tarifa e pajisjes me leje drejtimi me afat vlefshmërie 10 vite, nga 3,500 lekë bëhet 4,500 lekë, por afati tashmë zgjatet në 15 vite. Tarifa e re prej 4,500 lekë, e shpërndarë në vite, nga 350 lekë/viti bëhet 300 lekë/viti!
• Tarifa e pajisjes me leje drejtimi për grupmoshën mbi 65 vjeç, me afat vlefshmërie 5 vite, nga 3,500 lekë, tashmë bëhet 2,000 lekë, me afat vlefshmërie 15 vite!
• Tarifa e pajisjes me Leje Drejtimi Ndërkombëtare me afat vlefshmërie 1 vit nga 500 lekë që ishte, kalon në 1,000 lekë, me një afat vlefshmërie 3-vjeçare. Tarifa e re prej 1,000 lekë, e shpërndarë në vite, nga 500 lekë/vit bëhet 333 lekë/vit!
• Kalimi nga Leje Drejtimi e Kategorisë B në D/D1, pa qenë i detyrueshëm kalimi në kategorinë C, nga 2,200 lekë, bëhet 0, pasi është eleminuar testimi për kategorinë C!
Nga ndryshimi i këtyre tarifave përfitojnë 189,179 qytetarë, duke ju kursyer mesatarisht 788,792,150 lekë/vit. (7,7 milionë Euro).
Ky vendim, për ndryshimin e tarifave për shërbimin e lejeve të drejtimit, hyn në fuqi më datë 5 Shkurt 2024.
Kujtojmë se programi për rritjen e tarifës për lejet e drejtimit është diskutuar në shkurt të vitit 2023, ku çmimi i marrjes së patentës, nga 35 mijë lekë për kategorinë B, do të rritej në 85 mijë lekë. Në atë periudhë Drejtori i përgjithshëm i Transportit Rrugor Blendi Gonxhe theksoi se nuk ka nismë për të rritur çmimin por vetëm rregullime programi me më shumë cilësi. Ai deklaroi se është e gjitha një çështje tatimore./ZËRI