
TIRANË- ZËRI ka zbardhur dosjen e plotë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja. Në dosjen e siguruar nga ZËRI, në dosjen e përpiluar nga hetuesja Elida Kaçkini, procedimi penal ka nisur që në shtator të këtij viti me 'subjekt' Ermal Kurtulajt, koordinatori i projektit "EUSAIR" (Strategjia e Bashkimit Europian për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit), projekt i rëndësishëm i mbështetur nga fondet e Bashkimit Evropian dhe që menaxhohej nga Agjencia Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) në Shqipëri. Kjo agjenci drejtohej nga Ilir Beqaj. Në dosje, agjentët e SPAK kanë zbardhur përgjimet, ku Ermal Kurtulaj bisedonte me pronarët e bizneseve për të fryrë faturat, në mënyrë që paratë t'i përvetësonin.
Lidhja mes Ermal Kurtulaj dhe e Beqajt, sipas SPAK, ka nisur para shumë vitesh, që në kohën kur ish-ministri ka qenë ortak i shoqërisë "Intech+". Miqësia ka vazhduar, por detaji më i dukshëm ka qenë mjeti që përdorte Kurtulaj. Makina, e cila është parë nga hetuesit e SPAK në media, ishte në pronësi të Kurtulaj. Por me të shkonte Beqaj në SPAK. Madje bënte dhe shumë udhëtime si brenda, ashtu dhe jashtë vendit. Ndaj edhe SPAK doli në përfundimin është një pronësi e fshehur e shtetasit Ilir Beqaj. Kjo edhe për faktin se makina, të gjitha gjobat i kishte marrë me shofer Arben Danin, vartësi i Beqajt. Por ky i fundit del edhe në përgjime, pasi vetë Beqaj të gjitha komunikimet telefonike i ka bërë me telefonin e tij.
EPISODET E PËRVETËSIMIT TË PARAVE
-SHPJEGIMI: Restoranti 'Gzona' ka emrin e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit "Albanian food and hospitality". Pronare me 50% ka qenë bashkëshortja e ish-ministrit, Adriana Beqaj. Kjo e fundit ia dhuroi aksionet ortakut të saj Arti Malajt. Ndërsa ky i fundit i shiti tek Eduart Curraj. Curraj është pronar edhe i kompanive: ‘Curri Group’, ‘Curri SHPK’, ‘Delta Holding’. Kjo e fundit ka në pronësi kompani si: ‘Delta Pharma’, 'Avicena' dhe rrjetin e farmacive ‘Ditë e Natë’. Të gjitha u kontrulluan nga SPAK. Duke qenë se restoranti 'Gzona' priste faturat që duheshin, SPAK ka dyshime se paratë shkonin në fakt tek Kurtulaj dhe Beqaj. Kjo pasi, nga mënyra sesi bëheshin bisedat e përgjuara lihej të kuptohej se administratori "de fakto" ishte vetë Kurtulaj, fije që e lidhin me Ilir Beqaj.
"Nga përgjimi i komunikimeve të kryera nga Ermal Kurtulaj rezulton se ai është përfshirë në punët e restorantit duke patur kështu interesa pasurore mbi këtë restorant. Ai interesohet vazhdimisht për mbarëvajtjen e këtij restoranti, duke vepruart si epror ndaj administratorit të restorantit, Gazmend Prenga dhe në ditët e fundit ka disa komunikime nëpërmjet tyre, kohë që përkon edhe me mbylljen e bilancit vjetor me rakordimet nëpërmjet investimeve të kryera mbi këtë restorant përgjatë vitit dhe me faturat e lëshuara për këtë restorant. Po ashtu, nga komunikimet e kryera dyshohet se personi nën hetim Kurtulaj vepron në këtë restorant për llogari të Ilir Beqajt, dyshime që ngrihen nga mënyra sesi komunikohet dhe veprohet nga ana e këtyre subjekteve duke shmangur çdo përfshirje të këtij shtetasi me administratorin ashtu me ortakët dhe duke i mbajtur komunikimet dhe rakordimet e taktimeve nëpërmjet shtetasit Ermal Kurtulaj. Nga deklarimet vjetore rezulton se pas vitit 200 Ilir Beqaj nuk ka deklaruar interesa mbi këtë aktivitet,"-shkruhet ndër të tjera në dosjen e siguruar nga ZëRI.
Madje në dosje tregohet edhe takimi që Kurtulaj ka pasur me administratoren e subjektit tregtar, Dhurata Thanasi. Gjatë takimit Thanasi ka tërhequr lekë nga banka dhe ia ka dhënë në dorë Kurtulajt në rrugën e Kosovarëve.
Një tjetër restorant që përdoret për fryrjen e faturave është "Me Nam".
Në kuadër të hetimeve, SPAK kërkoi nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar leje për kontroll të Ilir Beqajt, Arben Danit, Ermal Kurtulajt, Sabjan Kurtulajt, Gazment Prengës, Amarildo Dedës, Eduard Currajt dhe Dorian Sadikut. Por edhe në banesat, makinat dhe bizneset e tyre. Më konkretisht: 'Curri Group', 'Delta Holding', 'Delta Med', 'Farmed Antibiotics', 'Gzona' Restaurant', ‘Good Health’. Gjatë kontrolleve u janë sekuestruar telefonë, kompjuterë apo dokumente të tjera që sipas Gjykatës kanë shumë vlerë për hetimet. Po ashtu, ndër rreshta raportohet se janë sekuestruar edhe para, por vlera nuk është bërë me dije.
Hetimet ende vazhdojnë, ndërsa shuma totale e përfituar nga e gjithë skema ende nuk është e qartë./ZËRI