Aktualitet

Dosja-Beqaj/ Kush është Artan Nito, pronari i Nassau dhe bankomati i faturave fiktive për Kurtulajn

Nito, ka mirëpritur fillimisht në biznesin e tij Ermal Kurtulajt, në Qershor të këtij viti, dhe më pas kompania që drejtohet prej tij ka prerë një faturë fiktive për rreth 4 mijë euro

E.K
Dosja-Beqaj/ Kush është Artan Nito, pronari i Nassau dhe bankomati i
Ermal Kurtulaj ne Nassau

TIRANË- Artan Nito është pronari i Nassau në Dhërmi, njëherësh dhe pronari i kompanisë Niki Konstruksion & Solar SHPK, e cila rezulton që të ketë prerë fatura fiktive për llogari të Ermal Kurtulajt, i cili ishte njeriu i besuar dhe shoqëruesi i përhershëm i ish-ministrit të shëndetësisë Ilir Beqaj.

Nito, ka mirëpritur fillimisht në biznesin e tij Ermal Kurtulajt, në Qershor të këtij viti, dhe më pas kompania që drejtohet prej tij ka prerë një faturë fiktive për rreth 4 mijë euro, për një shërbim që nuk e ka kryer për agjensinë e menaxhimit të fondeve SASPAC.

Kjo agjensi që merret me menaxhimin e donacioneve të huaja drejtohej pikërisht nga Beqaj, i cili dyshohet se ka përfituar mijëra euro, në sajë të lëshimit të faturave fiktive nga ana e bizneseve. Një prej bizneseve që ka shërbyer për prerjen e faturave për Beqajn ka qenë pikërisht kompania e Nitos.

Gjatë ditës së djeshme ZËRI raportoi për pushimet luksoze të Ermal Kurtulajt, dhe ngjitjen e tij në majat më të larta drejtuese të shtetit, vetëm e vetëm në sajë të lidhjeve që ka pasur dhe ka me Ilir Beqaj.

Vetë prokuroria e posaçme nuk ka dhënë detaje në lidhje me hetimet që po ndërmerren për Ilir Beqajn, ndaj të cilit ka disa dosje të hapura në SPAK. E para është ajo që lidhet me koncensionin e sterilizimit, e dyta me faturat klienteliste në fushën e farmaceutikës, dhe e treta pikërisht me abuzimet që janë bërë me SASPAC. Nga kjo e fundit Beqaj u dorëhoq vetëm pak javë më parë, pasi u vu nën masë sigurie detyrim paraqitje nga ana e SPAK. /ZËRI

Poll

MOS HUMB