
TIRANË – Gjykata e Apelit e GJKOO-së ka lënë në burg Ramazan Rrajën, nipin e ish-deputetit të PS, Rahman Rraja. Ky i fundit dyshohet se është përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoji.
Ramazan Rraja u la në burg nën akuzat për trafik droge, pas zbulimit të bisedave në aplikacionin e koduar Sky Ecc. Ndërkaq, ai ka dhe masë sigurie edhe për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji.
Njoftimi i gjykatës:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, sot më 04.01.2024, ora 11:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 60 akti, datë 26.12.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim R.Rr., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 472, datë 01.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
Miratimin e disponimit me nr. 472 akti, datë 01.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Ramazan Rraja u arrestua në muajin prill të vitit 2023 në Fushë Krujë, për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoji, ku mbeti i vrarë shoferi i prokurorit. Ai u arrestua në një lokal, ndërsa ishte me pistoletë në brez. Për atentatin ndaj Ndojit janë arrestuar edhe Genti Ndërjaku alias Akil Ndërjaku, Endrit Sinani, Marsel Deçka, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri. Gjithashtu për këtë atentat u arrestua në Abu Dhabi, Dritan Shkëmbi. Në kërkim për atentatin janë Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj./ZËRI/