Aktualitet

DOKUMENTAR- Qumështi i ‘ndaluar’!

Reklamimi i ndaluar me ligj i qumështit artificial, po ndodh hapur në Shqipëri, në të gjitha rrjetet sociale, pa asnjë filtër. Por çfarë po shkakton? Për më shumë ndiqni dokumentarin e ZËRI-t.

Redaksia Zëri
DOKUMENTAR- Qumështi i ‘ndaluar’!
Qumështi i ndaluar

TIRANË- Vetëm 45% e foshnjave që lindin në vendin tonë ushqehen me gji. Pjesa tjetër rriten përmes qumështit artificial. Reklamimi i ndaluar me ligj i qumështit artificial, po ndodh hapur në Shqipëri, në të gjitha rrjetet sociale, pa asnjë filtër. Cila është strategjia e MSHS për promovimin e gjidhënies? Cilët janë faktorët që ndikojnë te nënat për të zgjedhur formulën përballë gjirit?

"Qumështi i ndaluar", dokumentari më i ri që tani mund ta ndiqni në të gjitha kanalet e ZËRI.

DOKUMENTARI I PLOTË:

 

Ushqyerja me gji është procesi natyral që pason 9 muajtë e shtatzënisë dhe ndihmon në krijimin e lidhjes së parë mes nënës dhe foshnjës. Prekja lëkurë në lëkurë dhe vendosja e fëmijës në gji krijon lumturi si te i porsalinduri edhe tek nëna, duke e nisur rrugëtimin e jetës me ëmbëlsi komfor.

Por…fatkeqësisht, epoka moderne, jeta e shpejtë dhe kushtet ekonomike po e thyejnë këtë lidhje. Ndryshe nga dikur, sot, më shumë se kurrë ka hyrë në modë përdorimi i formulave. Në jo pak raste, përdorimi bëhet alternativë e dobishme për shkak të kushteve shëndetësore të nënës dhe bebit, e në shumë të tjera, të tjerë faktorë janë ata që ndikojnë në braktisjen e gjirit dhe zgjedhjen e formulës.

Përdorimi i qumështit pluhur është në rritje në mbarë botë dhe këtij trendi i ka shkuar pas edhe vendi ynë. Të dhënat zyrtare të UNICEF, tregojnë se në vendin tonë, vetëm 45% e të porsalindurve ushqehen me qumësht gjiri. Ky kampion është rezultati i një studimi të bërë në vitin 2017-2018, tek i cili do të bazohemi për t'u thelluar edhe më tej. Të dhënat zyrtare të sistemit të Doganave, tregojnë se për 5 vitet e fundit në tregun shqiptar kanë hyrë tonelata me kuti të qumështit formulë. Këto të dhëna përballë lindshmërisë që ka rënë, tregojnë se konsumi i formulës është rritur.

Në fakt, realiteti qëndron larg parashtrimit të ligjit dhe asaj që do të duhet të ishte strategjia kombëtare për promovimin e gjidhënies kundrejt qumështit formulë. Në botë, ka supermodele që reklamojnë “breastfeeding”; gra politikane që shkojnë në sallë me të vegjlit e tyre, por në Shqipëri po ndodh e kundërta. Qumështi pluhur është kthyer në trendin e postimeve në rrjetet sociale dhe reklamimit gjithashtu.

ZËRI i ka kontaktuar të gjitha blogeret dhe influencerat që kanë zgjedhur të reklamojnë qumështin formulë për të vegjlit e tyre. Por asnjëra nuk pranoi të jepte një koment! Njësoj pason heshtja edhe nga kompanitë kryesore të tregut. Plasmon, Aptamil, Nutriben, Kendamil e Milupa, janë disa nga markat kryesore që janë prezente në Shqipëri. ZËRI i kontaktoi me email dhe telefon këto kompani, të cilat nuk pranuan të jepnin një sqarim publikisht se përse ato zgjedhin të bëjnë bashkëpunime për të reklamuar qumështin formulë, kur ligji shqiptar e ndalon. Jashtë kamerës, pohojnë se janë në respekt të ligjit.

Ndërkohë që institucionet janë totalisht të pavëmendshme ndaj fenomeneve të reja që nxiten në rrjetet sociale, ku kutitë e qumështit formulë i serviren të gjitha nënave të reja dhe grave shtatzënë, dëmi që i shkaktohet popullatës për të ardhmen është ende i panjohur. Ajo që nënat e reja iu duhet sot është më shumë mbështetje për të njohur dhe kuptuar rëndësinë e gjidhënies për fëmijët e tyre, për një fëmijëri të plotësuar dhe një jetë plot shëndet./ZËRI

Poll

MOS HUMB