
TIRANË- Ushqyerja me gji është procesi natyral që pason 9 muajtë e shtatzënisë dhe ndihmon në krijimin e lidhjes së parë mes nënës dhe foshnjës. Prekja lëkurë në lëkurë dhe vendosja e fëmijës në gji krijon lumturi si te i porsalinduri edhe tek nëna, duke e nisur rrugëtimin e jetës me ëmbëlsi komfort. Por…fatkeqësisht, epoka moderne, jeta e shpejtë dhe kushtet ekonomike po e thyejnë këtë lidhje. Ndryshe nga dikur, sot, më shumë se kurrë ka hyrë në modë përdorimi i formulave. Në jo pak raste, përdorimi bëhet alternativë e dobishme për shkak të kushteve shëndetësore të nënës dhe bebit, e në shumë të tjera, të tjerë faktorë janë ata që ndikojnë në braktisjen e gjirit dhe zgjedhjen e formulës.
Përdorimi i qumështit pluhur është në rritje në mbarë botë dhe këtij trendi i ka shkuar pas edhe vendi ynë. Të dhënat zyrtare të UNICEF, tregojnë se në vendin tonë, vetëm 45% e të porsalindurve ushqehen me qumësht gjiri. Ky kampion është rezultati i një studimi të bërë në vitin 2017-2018, tek i cili do të bazohemi për t'u thelluar edhe më tej. Në vendin tonë ka një rritje të fenomenit të përdorimit të qumështit pluhur. Ky fenomen, konfirmohet edhe nga neonatologia Ada Simeoni. Në një intervistë të dhënë për dokumentarin e ZËRI-t, “Qumështi i ndaluar”, ajo rrëfën se së fundmi trendi ka qenë në rritje. Për neonaten, shqetësues është fakti që nënat e reja, në momentin që shkojnë në maternitet për të lindur, janë të parapërgatitura për të përdorur qumësht pluhur.
“Gjatë viteve të fundit kemi vënë re një trend rritës për përdorimin e qumështit artificial. Një trend që për fat të keq vazhdon edhe gjatë muajve të parë të jetës, ndonjëherë edhe 1 vjeç, aq sa do të duhet të ishte periudha normale e ushqyerjes së një foshnje me qumështin e gjirit. Ajo që vëmë re me shumë shqetësim është se shumë nëna të reja vijnë në maternitet, janë të parapregatitura mendërisht që këtë foshnje do ta ushqejnë me qumësht artificial,”-bën me dije neonatja.
Mbi 70% të nënave të reja sot në Shqipëri, zgjedhin formulën si mënyrën më të mirë për ushqyerjen e të foshnjave të tyre. Këtë fakt e provojnë edhe të dhënat që ZËRI ka siguruar zyrtarisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Sipas të dhënave zyrtare të sistemit të Doganave, tregojnë se për 5 vitet e fundit në tregun shqiptar kanë hyrë tonelata me kuti të qumështit formulë. Këto të dhëna përballë lindshmërisë që ka rënë, tregojnë se konsumi i formulës është rritur. Më konkretisht, në vitin 2018, në Shqipëri u futën 1.114.369 (p/neto kg), ndërkohë që kulmi është kapur në vitin 2021, që në vend kanë hyrë, 1.592.258 (p/neto kg). Ndërkohë që lindshmëria në vitin 2018 ka qenë 28.934 ndërsa në vitin 2021, kur është kapur edhe maja e futjes në vend të qumështit pluhur, lindshmëria ka rënë.
Edhe për vitin 2022, që është viti me lindshmërinë më të ulët të regjistruar nga INSTAT, importi i qumështit pluhur ka qendruar më i lartë se në vitin 2018, kur lindshmëria ishte 4246 foshnje më shumë. Siç edhe mund të kuptohet, konsumi i formulës është rritur, ndërkohë që lindshmëria ka rënë.
Lindshmëria
Viti 2018-28,934 lindje
Viti 2019-28.561 lindje
Viti 2020- 28.075 lindje
Viti 2021-27.211 lindje
Viti 2022-24.688 lindje
Importi
Viti 2018 1.114.369 (p/neto kg)
Viti 2019 1.247.954 (p/neto kg)
Viti 2020 1.118.636 (p/neto kg)
Viti 2021 1.592.258 (p/neto kg)
Viti 2022 1.270.455 (p/neto kg)
Nga kjo kuptojmë lehtë se përse vetëm 45% e të porsalindurve ushqehen me gji në Shqipëri, krahasuar me vendet e tjera të botës. Dhe kjo është një e dhënë alarmante për brezat që pasojnë. Kjo tregon se tregu i shitjes së formulës është agresiv dhe se nënat për shumë faktorë priren ta zgjedhin atë për ushqyerjen e fëmijëve. Një ndër to, edhe reklamimi pa kriter i këtij produkti.
“Shumë shpesh na ndodh që nëna bashkë me rrobat e bebit na jep dhe kutinë e qumështit artificial që e ka blerë më parë. Kjo po kthehet në rutinë,”-shton mjekja Simeoni./ZËRI