
HOLANDË- Një skenar si në filma ishte përgatitur për arratisjen nga burgu i Holandës të një vrasësi me pagesë pjesë e bandës së quajtur “Tatoo killers”. Sipas burimeve për mediat vendase, Brian P. 36 vjeç kishte komunikuar me një shqiptar jashtë mureve të burgut, për ta ndihmuar të arratisej.
Shqiptari kishte porositur një “dron special” nga Dubai. Sipas Shërbimit të Prokurorisë Publike, Brian P. do të fluturonte mbi murin e burgut në Grave me dron dhe më pas duhej të hipte në një makinë të vjedhur dhe do të vendosej në Shqipëri.
“Tattoo killer” Brian P. ndodhet në Institucionin Extra Secure (EBI) në Vught që nga janari i këtij viti, me dyshimin për gjobvënie nga dy themeluesit e një kompanie të shquar holandeze “Bitcoin”. Ai dhe një i dyshuar i tij akuzohen se kërkuan 1 milion euro. Pas arrestimit të tij, P. u mbajt për një kohë të shkurtër në burgun e “Arnhem”, pas së cilës u transferua në burgun “Grave”. Mirëpo, ai mësohet se kishte planifikuar të arratisej nga atje.
Bastisje
Sipas mediave holandeze, policia kontrolloi një ndërtesë në Roterdam më 29 nëntor 2022 në një hetim për trafikun e drogës dhe armëve. Në një telefon të gjetur atje, policia dyshohet se lexoi mesazhe për një plan arratisjeje në të cilin Brian P. duhej të lirohej nga burgu në “Grave” me një dron.
Biseda
Vrasësi me pagesë thuhet se ka komunikuar përmes bisedave telefonike me Maarten van der T. dhe shqiptarin Lisander O. Fillimisht, treshja thuhet se kishte planifikuar të lironte P. nga burgu me një helikopter (i varur në litar. ).Kur kjo doli e pamundur, ata diskutuan planin për të liruar P. me një dron.
Droni duhej të blihej në Dubai. Brian P. pyeti veten nëse pajisja mund të përballonte 95 kilogramët e tij. Më pas, Maarten van der T. dyshohet se sugjeroi të porosiste dy drone dhe të varej një 'shportë' mes tyre. '150 mund ta përballojë'.
Sipas organeve të drejtësisë, tre të dyshuarit janë pjesë e një organizate kriminale që kërkonte të lironte nga burgu Brian P. Prokuroria Publike kërkon tre vjet burg ndaj Brian P. Ndërsa për dy bashkëpuntorët e tij Maarten van der T. u kërkua një dënim me burg prej 18 muajsh, nga të cilët 6 muaj me kusht dhe ndaj Lisader O. u kërkua një dënim me 16 muaj burg./ ZËRI