
KLOS- Një 28-vjeçar shqiptar që jeton në Greqi, i quajtur Aurel Kurti nga Klosi u arrestua nga policia greke, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes, vetëm pse ajo kishte lindur vajzë, raportojnë mediat greke.
Mediat helene shkruajnë se 22-vjeçarja ishte mbajtur edhe peng për muaj me radhë. Babai i Aurel Kurtit, Gëzim Kurti ka thënë për Neës24 se akuzat ndaj djalit të tij janë mashtrime e gënjeshtra.
Ai akuzon nusen e djalit, duke thënë se ajo mund të ketë lidhje me dikë tjetër e kërkon që të fusë në burg djalin e tij.
“Të gjitha çfarë thuhen janë gënjeshtra e mashtrime. Ka mundësi që vajza të ketë njohje me tjetër person. Që kur është njohur me djalin, erdhën e qëndruan 2-3 muaj këtu e më pas kanë ikur për në Greqi. Fëmijën e lindi këtu në Shqipëri, e mbajtëm si vajzën tonë. Nuk e kemi keqtrajtuar, aspak. Atje nuk kam qenë unë, por këtu kur ishin, çdo gjë ishte në rregull.
Me djalin në telefon kam folur pardje. Me nusen e djalit nuk kam folur direkt me të, as numrin nuk ia kam. Por, kam biseduar nëpërmjet telefonit të djalit. Akuzat për dhunë janë të pavërteta, sepse ata dilnin, ditëlindjen nusja e djalit e festoi jashtë vendit. Edhe mund të ketë njohje tjetër nusja e djalit dhe do të fusë tim bir brenda. Ata janë njohur vetë, se ne si prindër nuk kemi qenë dakord. Djali im e nxirrte atë, dilnin nëpër lokale e vende të tjera plot. Nuk e ka mbajtur të mbyllur. Nuk dilnin ndoshta përditë, sepse djali ashtu kishte punën. Ata janë njohur që kur bashkëshortja e djalit tim ishte në klasë të shtatë. Kur kam folur me djalin, nuk më ka thënë asgjë. Të nesërmen më thanë se e kanë futur brenda”, deklaroi babai i djalit që u burgos.

Mediat helene kanë publikuar edhe shtëpinë ku jetonte çifti, duke e cilësuar atë “banesa e tmerrit”. Sipas asaj që shkruajnë mediat e vendit fqinj, në këtë banesë mbahej e mbyllur Dafina Kurti dhe vajza e saj, ndërsa 22-vjeçarja torturohej. Dhuna ndaj shqiptares mund të ketë zgjatur dy vite./Zëri.ai/