
TIRANË- Të ardhurat nga Tik-Tok, Instagram, platformat ndërkombëtare Booking dhe AirBnB apo bonuset dhe përfitimet e përmuajshme të dëmshmpërblimit do të taksohen. Të gjitha fitimet dhe të ardhurat do të taksohen sipas normave progresive nga 13 deri 23%. Ligji i ri pritet që të hyjë në fuqi që nga 1 janari 2024. Deri më tani, të gjitha kategoritë e poshtë përmendura nuk ishin pjesë e taksimit, por vetëdeklarimi në rrjetet sociale i shumave marramendëse që kanë fituar nga puna si influencer , duket janë ‘nuhatur’ nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave.
“Të ardhurat dhe pagesat për personat rezidentë shqiptarë nga platformat e internetit, si: Google, Tik-Tok, Instagram, Facebook, Youtub etj. Airbnb, Booking etj., apo në platforma të blerjes së mallrave, si Amazon, Alibaba etj. Mënyrat e deklarimit dhe pagesës në Shqipëri të detyrimeve tatimore për të ardhurat e tatueshme në Shqipëri dhe që lidhen me përdorimin e këtyre siteve dhe platformat e deklarimit dhe pagesës së detyrimeve, zhvillohen nga administrata tatimore dhe u vihen në dispozicion përdoruesve,”- përcaktohet në udhëzim.
Me publikimin e udhëzimit në Fletoren Zyrtare, menjëherë kanë nisur reagimet e para. Një prej tyre është një personazh i njohur si Kozak Braçi, i cili kalon pjesën më të madhe të ditës së tij në rrjetin social “TikTok” nga ku edhe siguron të ardhurat. Modalitetet e monetizimit të atyre që në TikTok njihen si “gifts”, shqip “dhurata”, përkthehen në shuma të mëdha parash.
Vlera e dhuratave në këtë rrjet social, varion nga 0 e deri në 500 dollarë, teksa dhurata më e shtrenjtë është “TikTok Universe”. Këngëtarët shqiptarë nga videot Live, që (mund të) realizojnë çdo natë, përfitojnë mesatarisht një mijë euro në ditë, pa llogaritur përqindjen që merr TikTok-u. Bazuar në këtë llogari, rezulton se fitojnë qindra euro në ditë vetëm nga videot ku dalin “live”. Megjithatë paratë që marrin, rrjeti social ua taton njëherë, pasi u mban 50% të fitimeve.
Ndaj edhe një prej fituesëve të më të mëdhenj në TikTok, që publikisht i ka treguar fitimet e tij mijëra euroshe, është i revoltuar.
“Kam pa Edi Ramën që do të taksojë njerëzit e TikTok-ut. Edi Rama ne 50% na i merr "kinezi" (sepse bazën kompania e TikTok e ka në Kinë), 25% i do ti (është i pasaktë me përqindjen e taksimit), i bie në të marrim 20%. Edi Rama duhet me ia marrë lekët këtyre që bëjnë koncerte dhe marrin 20 mijë euro për gjysëm ore...,”-shprehet në videon e publikuar Braçi.
Pavarësisht personazhit kontravers që ngre shqetësimin, në thelb ka të drejtë. Puna online është një krijimtari e lirë, për të cilën shteti nuk ka asnjë investim. Influencerave u duhet vetëm një telefon dhe më pas, sa fitojnë është e gjitha në të drejtën dhe e bazuar në meritën e tyre. Madje nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë. Një pikë; ku mund ta kapin është nëse këto persona përdorin rrjetet e tyre sociale për t’i bërë reklamë një biznesi në Shqipëri, gjithmonë në këmbim të parave.
Gjithashtu në udhëzimin e publikuar ka edhe shumë paqartësi.
Si do të veprohet me ata persona, që llogarinë e tyre të rrjeteve social dhe “Paypal” ku marrin paratë, nuk e kanë të hapur në Shqipëri? Jetojnë, veprojnë në Shqipëri, por paratë u shkojnë në një bankë jashtë vendit. Shumica e rrjeteve sociale të tilla janë hapur me llogari jashtë vendit, pasi TikTok nuk e ka monetizuar Shqipërinë. Pra, kush fiton para nga rrjetet sociale, nuk e ka të hapur fare me llogari në Shqipëri; edhe paratë derdhen nga kompania jashtë vendit, kështu që përdoruesi mund ta shmangë shumë lehtësisht taksimin që po kërkohet të vendoset.
Por ka edhe një pikë tjetër interesante që nuk është përmendur në ligj. Para fitohen edhe nga “OnlyFans”, një rrjet social ku djem e vajza mund të publikojnë foto dhe video të tyre intime, në këmbim të një abonimi mujor nga ata që duan t’i ndjekin. Ka shumë këngëtare dhe influencera shqiptare që kanë llogari të tilla dhe që i reklamojnë në rrjetet e tyre sociale. Po kjo platformë a do jetë “pre” e taksimit të ri; apo bie ndesh me ligjin që ndalon prostitucionin? Po ashtu, siç e përmend edhe përdoruesi i TikTok më sipër, po këngëtarët dhe aktorët që punojnë dhe marrin të ardhura, do taksohen? Një gjë është e sigurtë, udhëzimi do riparë!/Zëri.ai