
KORÇË- Gjykata e Korçës ka lënë në burg Denis Meçen, 29 vjeç, i cili u arrestua pasi akuzohet se dhunoi për vdekje Egli Progën. Ndërsa për tre të arrestuarit e tjerë Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç, gjykata caktoi masën “detyrim paraqitje”. Teksa të akuzuarit futeshin në sallën e gjyqit, jashtë u përballën me familjarët e viktimës. Edhe pse të afërmit e saj po mundoheshin që ta qetësonin, në një moment e motra e Egli Progës, Jonida sheh autorin e vrasjes të së vëllait.
"O kafshë!,”-dëgjohet ajo teksa bërtet, ndërsa të tjerët mundohen që ta qetësojnë.
Pas gjyqit e motra foli për mediat, e cila u shpreh se kjo është një padrejtësi dhe Egli u vra sërish për herë të tretë. Ajo u shpreh se si mund të lihen me detyrim paraqitje të tjerët, kur ishin bashkëpunëtor në vrasjen e të vëllait.
“Po flisni për padrejtësi që filloi nga policia e shtetit, padrejtësi duke filluar nga regjistrimet, çdo akt që kanë sjellë ata, akt që ka shoqëruar edhe gjykatën në padrejtësi. Janë lënë të lirë të gjithë vrasësit, flasim për padrejtësi të menjëhershme, në kohë, në bashkëpunim. Flasim për banda të bëra bashkë. Kam parë skedën e vdekjes, me shënim “është vrasje”. Çfarë janë këta të tjerët që lihen me detyrim paraqitje? Po vazhdon të vritet Egli, me çdo veprim dhe mosveprim që është duke u kryer. Kjo është vrasje për herë të tretë. Po flasim për vrasje me dashje, në bashkëpunim, në masë, të një njeriu të pafajshëm dhe janë lëshuar një tufë huliganësh. Kjo është. Duke njohur kontigjentët, unë nuk jam në dijeni për gjobë, por duke njohur elementët është gjëja më e rëndë. Kur guxohet ta vrasësh, me grushta një njeri, do të thotë që çdo gjë tjetër është e mundur. Është bërë më ekstremi, më e madhja”, tha Jonida Proga.
Njoftimi i gjykatës:
Nisur nga interesi i treguar prej Jush për rastin bëjmë me dije se: Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjitshëm Korçë, u zhvillua sot në datën 13.08.2024 ora 11:00 seanca me objekt: “Vleftësim arresti në flagrancë, caktim mase sigurimi”, ndaj shtetasve D.M, V.SH, A.M, L.G ku gjykata në përfundim vendosi: Pranimin e kërkesës. 1- Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj shtetasit D.M, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja nga pakujdesia” parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal. 2- Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit V.Sh, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal. 3-Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit A.M, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal. 4-Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit L.G, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
Egli Proga ndërroi jetë të shtunën, si fillim ngjarja u raportua si aksident, ku u tha se viktima humbi jetën pasi u rrëzua në rrugë, por pas pretendimit të familjarëve se ishte dhunuar, rezultoi se ai vdiq si pasojë e plagëve të marra nga dhunimi që iu bë nga Meçe, teksa u la për 30 minuta i shtrirë në Rrugë.
Policia e Pogradecit ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes, 29-vjeçarin Denis Meçe, i cili gjatë një konflikti për motive të dobëta është konfliktuar fizikisht me viktimën jashtë ambienteve të një lokali. Meçe është nipi i ish-drejtorit të Postës Shqiptare, Valter Gora. Për ngjarjen në fjalë në pranga kanë përfunduar edhe tre persona të tjerë, të identifikuar si Voltan Shulku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi. /ZËRI