
TIRANË- U deshën 8 ditë, por sot Policia e Shtetit më në fund ka vendosur në pranga edukatoren që dhunoi dhe dyshohet se i theu këmbën 3-vjeçares. Ishte Prokuroria e Tiranës ajo që vuri në lëvizje efektivët e Komisariatit nr.1 për të vendosur në pranga edukatoren Majlinda Dehima, mbi të cilën rëndojnë disa vepra penale. Nga 'procedim në gjendje të lirë', edukatorja do të duhet të përballet me drejtësinë teksa mbi supe ka veprat penale për "keqtrajtim të të miturit". Kjo vepër penale mund ta dërgojë në burg nga 3 muaj gjer në 2 vjet.
"Kjo masë u kërkua menjëherë pas marrjes në dorëzim ditën e sotme, më dt. 09.11.2023, të procesverbalit për kqyrjen e pamjeve filmike (usb), i cili është mbajtur më dt. 08.11.2023. Me shkresën nr. 9538/1 prot., dt. 08.11.2023, protokolluar në Prokurori me nr. 10983 prot., dt. 09.11.2023, Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka përcjellë aktin e ekspertimit mjeko-ligjor. Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, po kryen veprimet e tjera procedurale për dokumentimin e faktit, në kuadër të procedimit penal nr. 7527, i regjistruar pas kallëzimit mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, Komisariati i Policisë nr.1, për Veprën Penale “Keqtrajtimi i të miturit”, parashikuar nga neni 124/b i Kodit Penal,"-bën me dije Prokuroria e Tiranës.
Ndërkohë zyrtarë dhe punonjës të Komisariatit nr.1 në Policinë e Tiranës, pranuan se kanë neglizhuar hetimet për dhunën ndaj vajzës 3-vjeçare të cilës iu thye këmba në kopshtin privat. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ka marrë në pyetje Ylli Çakon, shef seksioni i krimeve, Ergys Brahimajn, specialist seksioni i krimeve, Rustem Dervishin, shef i krimeve dhe Bledar Rushitin, SPZ i zonës. Ata pranuan se kanë neglizhuar çështjen e skandalit të thyerjes së këmbës së 3-vjeçares në ambientet e kopshtit “Stinët”.
Dhunimi i 3-vjeçares në kopshtin Stinët ndodhi në datën 1 Nëntor. Drejtuesja e kopshtit, i cili vepronte pa licensë dhe në ilegalitet të plotë, ka tentuar ta fshehë ngjarjen, duke iu thënë prindërve të së miturës, se këmba i ishte ënjtur si pasojë e një pickimi. Por pamjet e transmetuara në emisionin Stop vërtetuan të kundërtën, ku shihej edukatorja që dhunonte të miturën, teksa fëmijët ishin duke fjetur gjumin e drekës. Për 2 orë 3-vjeçarja u mbajt duke qarë në kopsht, dhe më pas u bë njoftimi i prindërve të saj, të cilët u përballën dhe me sjelljen arrogante dhe aspak profesionale të punonjësve të policisë, 2 prej të cilëve janë nën hetim. Kjo ngjarje ka ngjallur reagime të shumta, duke sjellë edhe nisjen e një aksioni nga Ministria e Arsimit për të kontrolluar të gjitha kopshtet dhe çerdhet./Zëri.ai