Aktualitet

Dështon protesta-homazh për Liridonën, disa aktiviste zhvendosen para ambasadës së Kosovës

Protesta që ishte menduar si një marshim nga Ministria e Brendshme në drejtim të ambasadës së Kosovës, ka dështuar, për shkak të pjesëmarrjes së ulët

E.K
Dështon protesta-homazh për Liridonën, disa aktiviste zhvendosen
Pamje nga protesta simbolike te ambasada e Kosoves

TIRANË- Një protestë e thirrur në Tiranë për vrasjen e Liridona Ademajt, duket se ka dështuar. Gazetari i Zërit, Edon Kuqi, i cili ka qenë në ambientet përpara Ministrisë së Brendshme, ku ishte njoftuar dhe protesta homazh, raporton se shumë pak persona i janë bashkuar thirrjes që nisi fillimisht në rrjetet sociale.

Thirrja iu ishte drejtuar të gjithë qytetarëve për të protestuar kundër vrasjeve të grave, dhe për të mbajtur homazhe për Liridonën. Duke qenë se numri i pjesëmarrësve ka qenë i pakët, deklarata është zhvendosur përpara ambasadës së Kosovës në Tiranë, ku aktivistja Xheni Karaj ka mbajtur dhe një deklaratë, ku bëri thirrje për drejtësi.

Dështon protesta-homazh për Liridonën, disa aktiviste zhvendosen
Aktivistet

Protestës i është bashkuar dhe vetë ambasadori i Kosovës në Tiranë, Skënder Durmishi, i cili shprehu solidaritetin me rastin e rëndë. 

“Unë dola t’iu takoj para derës së ambasadës. Është një iniciativë njerëzore dhe ju falënderoj për ndjesinë që tregoni për një rast që ka tronditur Kosovën që është e shtanguar dhe në shok të vërtetë. Protesta juaj është për t’u përkrahur dhe thirrjet tuaja për drejtësi për Liridonën dhe për çdo grua. Drejtësia të thotë fjalën e vet për një krim kaq monstruoz siç ndodhi me Liridonën”, tha ambasadori gjatë fjalës së tij.

Dështon protesta-homazh për Liridonën, disa aktiviste zhvendosen
Ambasadori i Kosoves

Edhe në Kosovë, ka pasur një reagim të vakët të aktivistëve, pasi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në të cilën u paraqit sot Naim Murseli dhe dy të dyshuarit e tjerë për vrasjen, ishin të pranishme vetëm disa qytetare, të cilat mbanin në duar një pankartë, ku bënin thirrje për drejtësi. Edhe pse në rrjetet sociale është vënë re një ndjeshmëri e lartë për vrasjen e Liridonës, duket se mllefi i qytetarëve është nxjerrë vetëm përmes komenteve dhe jo protestave në rrugë dhe para institucioneve.


/ZËRI

Poll

MOS HUMB