
ELBASAN- Pistoleta, armë gjuetie, predha, fishekë, targa false, çfarëdo që të kërkoje, e gjeje në bazën e armëve në Peqin. Baza u zbulua e kamufluar në ambientet e një biznesi në pronësi të Imer Manahasës. Për Policinë e Shtetit, 43-vjeçari rezulton të jetë anëtar i një grupi kriminal i dyshuar për kryerjen e veprave të rënda penale, por nuk kanë dhënë më shumë detaje për të identifikuar "strukturën" që operon në qytetin e Elbasanit.

Imer Manahasa rezulton të jetë djali i Alber Manahasës, dhe vëllai i Seit Manahasës, të cilët më 28 korrik 2020 u arrestuan pasi sërish në biznesin e tyre u gjet një armë zjarri. Nga ekspertiza që iu krye më pas armës, rezultoi se ajo ishte përdorur për ekzekutimin e Emiljano Ramazanit, ngjarje kjo e ndodhur më 20 korrik të vitit 2020.
Për vrasjen e Emiljano Ramazanit ndodhen në burg Euglen Halili (bashkëpunëtor i drejtësisë) dhe Xhuljano Hoxha, të cilën pranuan se kishin pasur rolin e vëzhguesit në krim. Pas hekurave ndodhet edhe Erion Alibej, i cili akuzohet se është urdhërues i këtij atentati e ndërsa më pas u arrestua edhe atentatori, Nuredin Dumani. Ky i fundit mësohet se ka qenë personi që drejtonte mjetin nga ku zbriti ekzekutori Klevis Kapllani dhe vrau Ramazanin, babanë e katër vajzave.
Por kush ishte "Rramani" dhe pse u ekzekutua?
I riu u vra vetëm 9 ditë më pas mikut të tij, Regis Runaj. 39-vjeçari i njohur si Rramami ishte një person i skeduar edhe më parë nga Policia e Shtetit. Në vitin 2012 gjatë operacionit të koduar “Tabakane 2”, Emiliano Ramazani u arrestua së bashku me 5 të tjerë pasi prokuroria kishte prerë fletë arresti për prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim në formën e shitjes më shumë se një herë. Nuk dihet se si i ka shpëtuar drejtësisë 39-vjeçari pas këtij arrestimi por dihet se edhe në vitin 2017, gjatë operacionit “Porosia e Fundit” Rramani u arrestua për të njëjtën vepër penale.
Ramazani kishte njohje me Talo Çelën, personin që është në kërkim për grabitjen e 4.6 milion eurove në Rinas dhe ekzekutimin e vëllezërve Haxhia në Durrës. Por shkaku i vrasjes së tij ishte "problemi" që i kishte hapur vetes me familjen Alibej. Eugel Halilaj ka rrëfyer se porosinë për të kryer të dy krimet si të Ramazanit edhe të Runajt, i ka marrë nga Erjon Alibej, vëllai i Endrit Alibej, i cili u vra në të ashtuquajturën masakra e Bradasheshit. Sipas Halilit, Xhuliano Hoxha kishte marrë nga Alibej një listë me emra personash që do të vriteshin, e një ndër to ishte edhe Ramazani, i cili ka qenë në rolin e vëzhguesit natën e vrasjes së 3-fishtë./ZËRI