
TIRANË- Pavarësisht temperaturave të larta, protestuesit e opozitës u mblodhën sërish para Bashkisë së Tiranës. Tubimi i sotëm zgjati 40 minuta, ku nuk kanë munguar përplasjet me policinë, thirrjet ndaj tyre apo hedhja e lëndëve molotovë në drejtim të Bashkisë së Tiranës.
Efektivët e policisë u vendosën kordon para godinës së bashkisë. Në një moment u rrezikua dhe jeta e një polici, të cilit flakët e shkaktuara nga molotovi iu afruan tek këmbët e tij. Fatmirësisht reagimi i tij i shpejtë bëri që gjithcka të përfundonte pa ndonjë incident të rëndë. Më herët Policia theksoi se hedhja e molotovëve dhe sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë rrezikon seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit bën me dije se, ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të një tubimi të kërkuar nga “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, ditën e nesërme, më datë 21 qershor 2024, ora 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës. Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se, nesër, prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe. Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune.
Pas fjalës së pjesëmarrësve u njoftua se ata do të mblidhen sërish javën tjetër, të premten në orën 11:00 për të vijuar me protestën e tyre./ZËRI