
TIRANË- Dëbora u ka prishur planet! Kush ishte nisur të udhëtonte në drejtim të Dibrës, është kthyer mbrapsht në Tiranë. Kjo ka ndodhur pas një urdhër të dhënë nga Policia Rrugore. Vargu i mjeteve të pafundmë ishte nisur nga Tirana drejt Dibrës, duke përshkuar Rrugën e Arbrit, por reshjet e dëborës ua bënë të pamundur.
Mbi 50 mjete u bllokuan për më shumë se shtatë orë në Qafë Murrizë. Pas ndërhyrjes së efektivëve, pasagjerët janë evakuuar, ndërsa shoferët kanë pritur që të rihapej rruga për të vijuar qarkullimin.
Në Shqipëri ka mbërritur zyrtarisht dimri. Trashësia e borës në Dibër është mbi 20 centimetër. Në Kukës, 30 centimetër. Situata në Mirditë paraqitet më e qetë, pavarësisht motit të keq. Në Lezhë nuk ka problematika. Ndryshe paraqitet situata në Laç. Në lagjen nr.3 dhe nr.4, Kurbnesh dhe Fan nuk ka energji elektrike. Akset më problematike që këshillohet të kalohen me zinxhirë janë: Dushaj- Sheshi i Trageteve – Lekbibaj; Qafë Thore; Ura e Zapotit – Shishtavec; Vau i Dejës – Pukë – Kukës; Fushë Arrëz - Qafë Mali – Kukës; Bajram Curri – Valbonë; Ura Bujan.