
TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka komentuar sot në Komisionin e Ekonomisë (online) projektbuxhetin e vitit 2024, ku tha se duhet që të sinkronizohen politikat fiskale me ato monetare.
Sejko tha se mbledhja e të ardhurave publike është e ulët, vetëm 28 përqind, në një kohë që vendet e rajonit kanë një mesatare prej 36 përqind.
“BSH tërheq vëmendjen se niveli i arkëtimit të të ardhurave është më i ulëti në rajon, sa 25 përqind e PPB-së, ndërsa rajoni e ka 36 përqind. Qeveria duhet të ketë një strategji, që të bazohet në rritjen e grumbullimit të të ardhurave. Ne mendojmë se të ardhurat e parashikuara mund të arrihen, por duhet të ketë edhe një ulje të informalitetit”, tha guvernatori.
Ai tha se konsolidimi në kohë i shëndetit të financave publike duhet të bazohet në rritjen progresive të nivelit të grumbullimit të të ardhurave.
“Kjo përqasje ndihmon qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe ruan hapësirat e nevojshme për shpenzime në mbështetje të prioriteteve strategjike të zhvillimit, e më konkretisht për investime në arsim, shëndetësi dhe infrastrukture. Rritja e qëndrueshme e të ardhurave publike duhet të kalojë nga një linjë aksioni, e cila duhet të synojë fillimisht reduktimin e informalitetit dhe më tej të shikojë hapësirat për thjeshtimin dhe drejtpeshimin e barrës tatimore, midis kategorive të ndryshme ekonomike dhe shtresave sociale,” tha Sejko.
Më tej, Gent Sejko deklaroi se pensionet janë një sfidë e madhe për buxhetin. Ai sugjeroi që të ngrihet shtylla e dytë me sigurim të detyrueshëm te privatët.
“Pensionet janë sfidë për buxhetin. Shqetësim është deficiti i skemës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Janë një gropë për buxhetin e shtetit. Në projektbuxhetin e vitit 2024, këto skema parashikohet të krijojnë një deficit rreth nivelit 3.6% të PBB-së, ose 1.1 pikë përqindjeje më të lartë se deficiti i përgjithshëm buxhetor. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë sugjeron rishikimin periodik të kuadrit ligjor që rregullon skemën e pensioneve, atë të sigurimeve shëndetësore dhe skemat e tjera të sigurimeve sociale.
Po ashtu, ne inkurajojmë intensifikimin e përpjekjeve për zhvillimin e shtyllës së dytë e të tretë të sistemit privat të pensioneve, atë të sigurimit të detyrueshëm dhe vullnetar. Këto shtylla të rëndësishme të sistemeve moderne të pensioneve do të kontribuonin në rritjen e përshtatshmërisë së skemave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore me ndryshimet demografike dhe vendosjen e tyre në trajektore të qëndrueshme dhe të përballueshme për buxhetin e shtetit”, deklaroi guvernatori.
Sejko tërhoqi edhe njëherë vëmendjen në faktin se realizimi i planit të investimeve duhet të ketë një shpërndarje më të njëtrajtshme gjatë vitit. Sipas tij, Përqendrimi kronik i tyre në gjysmën e dytë të vitit shkakton luhatje të panevojshme në treguesit ekonomikë dhe tregjet financiare, duke ulur dhe eficiencën e shpenzimeve publike.
Banka e Shqipërisë përsëriti edhe këtë vit sugjerimin për përfshirjen e tavaneve ligjore afatgjata mbi vlerën e përgjithshme të kontraktuar të PPP-ve. Sipas Guvernatorit, ky rregullim do të ishte një element plotësues i kontrollit të nivelit të rrezikut potencial që PPP-të mund të kenë mbi shëndetin e financave publike. Gjithashtu Banka e Shqipërisë sugjeron përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë vlerësimin, kontraktimin dhe monitorimin e këtyre projekteve, sidomos sa i takon detyrimeve ligjore dhe financiare që ato i ngarkojnë Buxhetit./Zëri.ai/