Aktualitet

Butrinti/ Përse shmanget Martin Mata?

Rrjedhimisht, raporti i UNESCO-ICOMOS ngre shqetësim të thellë për heqjen nga Parku i Butrintit të rreth 600 hektarëve ku në një pjesë po ndërtohet aktualisht një resort dhe u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë me urgjencë në UNESCO një plan të qartë masash për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Butrintit.

F.m
Butrinti/ Përse shmanget Martin Mata?
Martin Mata dhe gazetarja Florida Mingla

TIRANË- Intervista e Martin Matës, bashkëdrejtuesit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, i cili është pjesë e marrëveshjes me Ministrinë Shqiptare të Kulturës, për menaxhimin e ri të Parkut Kombëtar të Butrintit, ka ngritur mjaft pikëpyetje duke qenë se përgjigjet e tij bien ndesh me raportin e fundit të Misionit të UNESCO-s.

Edhe pse raporti i UNESCO-s është përgatitur në tetor të vitit të kaluar, nuk u bë kurrë publik, pasi qeveria shqiptare nuk kishte dhënë pëlqimin e saj, por bazuar në raportimin e bërë nga Zëri i Amerikës, dhe të dhënave të marra pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore në bazë të ligjit për të drejtën e informimit, ZËRI ka vendosur të bëjë një përballje, duke dalë kështu në përfundimin se ku konsiston thelbi i raportit të UNESCO-s dhe ku u shmanget përgjegjësive zoti Mata.

Sipas misionit, Bordi i Drejtorëve të Fondacionit, në tetor të vitit 2022, kohë kur u zhvillua dhe vizita e Misionit të UNESCO-s, Ministrja e Kukturës Elva Margariti, Co-CEO i AADF-së Martin Mata, Co-CEO i AADF-së Aleksandër Sarapuli, noterja Fjona Boriçi dhe arkeologu britanik Richard Hodges, nuk kishin kuptuar si duhej kufijtë e pasurisë së Trashëgimisë Botërore dhe funksionin e zonës së saj buferike të miratuar nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në vitin 2007.

Rrjedhimisht, raporti i UNESCO-ICOMOS ngre shqetësim të thellë për heqjen nga Parku i Butrintit të rreth 600 hektarëve ku në një pjesë po ndërtohet aktualisht një resort dhe u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë me urgjencë në UNESCO një plan të qartë masash për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Butrintit. Sipas misionit të UNESCO-s, ky vendim u mor në janar të vitit 2022, por pa dijeninë dhe pa miratimin e Komitetit të Trashëgimisë Botërore dhe për më tepër, u miratua një muaj më vonë leja për ndërtimin e resortit, në shkurt të vitit 2022.

Por çfarë thotë zoti Mata?

Ai e heq totalisht përgjegjësinë nga vetja duke u shprehur se Fondacionit Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit nuk ka asnjë mundësi që të marrë vendime të tilla. Sipas zotit Mata, këto janë vendimete qeverisë shqiptare, nëtë cilat ata nuk ndërhyjnë dot dhe se detyra e tyre është shumë specifike, të ndihmojnë me financime dhe me gjetjen e modeleve më të mira që janë sot në botë.

"Butrinti ka një zonë që ne e quajmë “buffer zonë” (zona tampon) dhe duke qenë se ajo është përsëri pjesë e tërësisë për ta mbrojtur si vlerë botërore Butrintin, mendimi i AADF është që çdo ndryshim, po e përsëris, apo tjetërsim i kësaj sipërfaqeje, duhet të bëhet në përputhje me protokollet e UNESCO-s dhe duhet të bëhet në dijeninë e tyre dhe me aprovimin e tyre. Ne si AADF, edhe të duam nuk e kemi atë rol, nuk e kemi atë mundësi, nuk e kemi atë vendimmarrje që të ndikojmë mbi qeverinë e radhës të Republikës së Shqipërisë dhe t’i themi bëje këtë punë në këtë mënyrë, apo në një mënyrë tjetër. Detyra jonë, është shumë specifike që ne të ndihmojmë me financime dhe me gjetjen e modeleve më të mira që janë sot në botë dhe për fat të mirë trashëgimi botërore ka me shumicë sot në botë,”- thotë Mata.

Gjithsesi, Misoni i ka bërë të njohur autoriteteve shqiptare se pret një kërkesë zyrtare pranë UNESCO-s për këtë ndryshim të ndërmarrë nga qeveria shqiptare pa dijeninë e organizatës.

Bashkëdrejtori i këtij fondacioni Martin Mata thotë se në fakt raporti i UNESCO-s nuk sulmon dhe nuk bën kritika për Planin e Menaxhimit të Butrintit, por shpreh një shqetësim për menaxhimin e gjithë sipërfaqes së Parkut Kombëtar të Butrintit dhe për dakordësimin midis autoriteteve shqiptare dhe të UNESCO-s, për çdo ndryshim të tij.

Në fakt, Misioni i UNESCO-s thotë në raport se nuk i është prezantuar asgjë për sigurimin e zbatimit të Planit të Menaxhimit nga autoritetet shqiptare, përveç krijimit të Fondacionit të ri të Menaxhimit të Butrintit, dhe se vetëm me themelimin e këtij Fondacioni nuk mund të përmbushë rekomandimet e misioneve të mëparshme, të Komiteti i Trashëgimisë Botërore dhe vetë Planit të menaxhimit për një menaxhim të integruar të Butritnit.

Gjithashtu, Misioni u ka kërkuar autoriteteve shqiptare si çështje urgjente, që t’i sqarojnë Qendrës së Trashëgimisë Botërore se cilat janë masat e mbrojtjes aktualisht për të gjithë pronën e Trashëgimisë Botërore që përfshihet në Parkun e Butrintit dhe zonën e saj tampon brenda kufijve të parkut.

Përsa i përket çështjes që është në Gjykatë Kushtetuese, zoti Mata thotë se Fondacioni shqiptaro amerikan ka zgjedhur heshtjen lidhur me marëveshjen për Butrintin pasi palët, sipas tij, duhet të presin me durim dhe të respektojnë vendimin që gjykata do të marrë.

“Fondacioni shqiptaro amerikan ka zgjedhur heshtjen lidhur me proçesin që po zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese lidhur me marëveshjen për Butrintin pasi palët, sipas tij, duhet të presin me durim dhe të respektojnë vendimin që gjykata do të marrë,”- shton bashkëdrejtuesi i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit.

Por, realitetit është ndryshe. Në fund të muajit dhjetor të vitit 2023, Fondacioni i Menaxhimit të Butrintit ftoi kompani me përvojë solide që të paraqesin oferta për Planin e Menaxhimit të Konservimit Arkeologjik, Studimin Hidrologjik dhe Ekologjik të Zonës së Trashëgimisë Botërore të Butrintit. Pra, heshtja është zgjedhur përsa u përket komenteve publikisht, ndërsa për të hapur tendera, nuk është parë e nevojshme nga Fondacioni, pritja e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu, në shtator të vitit 2022, është hapur konkursi për Qendrën e Vizitorëve.

Poll

MOS HUMB