
KOSOVË- Mëngjesin e të shtunës, 3 gusht, Policia e Kosovës arrestoi pesë serbë të akuzuar për krime lufte gjatë vitit 1999. Gjykata e Prishtinës i ka lënë një muaj në paraburgim duke sjellë kështu reagime nga Ministria e Jashtme e Serbisë dhe nga vetë Presidenti Vuçiç.
Ministria e Punëve të Jashtme, i bëri thirrje ndërkombëtarëve me mision në Kosovë "t'i japin fund arrestimeve arbitrare, rezultati i të cilave është shkatërrimi i karakterit multietnik të Kosovës". Ndërkaq ata u shprehën se ky është "një shembull tjetër i sulmeve ndaj serbëve me qëllim të frikësimit dhe dëbimi”.
Gjithashtu nuk mund të mungonte as një reagim nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili e ka cilësuar këtë veprim si një “provokim të qëllimshëm”.
“Po përpiqen të provokojnë çdo shtëpi serbe, që çdo shtëpi serbe të dijë se nuk guxon të qëndrojë në territorin e Kosovës. Është një heshtje e mjerueshme e ndërkombëtarëve dhe botës perëndimore, të cilët pretendojnë se nuk po e shohin çfarë po ndodh,” deklaroi Vuçiç në një konferencë për shtyp.
Vuçiç njoftoi se ai do të ketë biseda me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Do t’i pyesim nëse ende duan të shtiren si të painteresuar. Do t’ju kujtoj, kur një autobus ndalon në Serbi në pikën kufitare me Kroacinë, dhe në të ka shqiptarë të Kosovës e gjithë Evropa shkruan tekste edhe pse askush nuk i ka prekur, as arrestuar,” tha Vuçiç./ ZËRI