
TIRANË - Një 28-vjeçare ka përfunduar në spital, pasi ka blerë në një “Tabachino” një bombol helium, për të konsumuar tullumbace me drogë. Pasi ka parë gjendjen e rëndë të vajzës së tij, babai i së resë ka shkuar të bëjë kallëzim penal për shitësin e bombolave. Pas këtij denoncimi, policia ka shpallur në kërkim 23-vjeçarin me inicialet K.K dhe ka nisur procedimin në gjendje të lirë për 53-vjeçarin F.P.
Gjatë kontrollit që policia ushtroi në dyqan, janë sekuestruar edhe dy bombola të tjera me helium. Policia vijon kërkimet dhe hetimet e mëtejshme për këtë rast.
"Goditet një rast i tregtimit të bombolave me lëndë kimike helium, të kontrabanduara. Shpallet në kërkim një 23-vjeçar që i shiti një bombol me lëndë kimike helium një 28-vjeçareje, në tabakinon e tij, e cila pas konsumimit të kësaj lënde është dërguar në spital. Procedohet në gjendje të lirë një 53-vjeçar, shitës në këtë tabakino.
Sekuestrohen 2 bombola me lëndë kimike helium. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e të gjitha rasteve të paligjshmërisë, bazuar dhe në kallëzimin e depozituar nga një shtetas, se në një tabakino në afërsi të stadiumit "Air Albania", vajza e tij kishte blerë një bombol me lëndë kimike helium, dhe pas konsumimit të saj ishte dërguar në spital, menjëherë kanë organizuar punën për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës dhe kanë ushtruar kontroll në adresën e dhënë.
Si rezultat, gjatë kontrollit në tabakinon e shtetasit K. K., 23 vjeç, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 2 bombola me lëndë kimike helium. Në vijim të veprimeve nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. P., 53 vjeç, shitës në tabakino, si dhe u shpall në kërkim shtetasi K. K., 23 vjeç, pronari i tabakinos. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme,"- njofton policia.
Disa ditë më parë, policia ka arrestuar të ashtuquajturin Arjan Toçi, i njorhu ndryshe në rrjetet sociale si “Sheiku i Durrësit”, i cili ishte i pari që përfundoi në pranga për tregëtimin e oksid azotit. Kjo lloj substance tepër e rrezikshme ka pasur një shpërndarje në lokale të shumta në vend, duke rrezikuar shëndetin e të rinjve. Po ashtu, favorizohet edhe për shkak të çmimit të saj të ulët, vetëm 300 lekë të reja./Zëri.ai