
PRISHTINË – Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Zveçla ka thënë sot se është tashmë e konfirmuar se njëri nga të vrarët në sulmin terrorist në Banjskë është Bojan Milailoviç, që ka qenë truprojë e shefit serb të sigurimit sekret, Aleksandër Vulin. Ai ka shoqëruar Vulinin gjatë vizitës së tij në Republikën e Kosovës më 2013.
Sveçla deklaron përmes një njoftimi në rrjetet sociale se shteti i Serbisë është kokë e krye i përfshirë në këtë sulm të rëndë terrorist kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Postimi i ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Zveçla:
Dje përmes video-pamjeve dëshmuam prezencën e kryekriminelit dhe udhëheqësin e aksionit terrorist Milan Radoiçiç.
Ndërkaq, sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviç, turpëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013.
Shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës.
Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiç në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe truproja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë.
Këto fakte janë dëshmi tjetër se synimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës nuk kanë ndryshuar aspak nga koha e regjimit të Millosheviqit, ish-ministri i Propagandës së atij regjimi, tash president i regjimit aktual në Serbi. Edhe optimistët më të mëdhenj që deri tash e kanë gënjyer veten për ndryshimet në këtë shtet besoj janë bindur për të kundërtën këto ditë.
Më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rruge nga dy kamionë pa targa në fshatin Banjskë të Zveçanit. Si pasojë, u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, Policia i vrau tre sulmues të nacionalitetit serb, ndërsa i arrestoi 8 të tjerë. Por aksioni duket se vazhdon edhe sot. Dhjetëra automjete të KFOR-it, duke përfshirë edhe makineri të rëndë kanë kaluar rreth orës 15:00 nga Mitrovica, përmes Bajnskës në drejtim të Leposaviçit, duke u rreshtuar në kufirin e Jarinjës, por ende nuk dihet shkaku. Gjithashtu, mediat vendase raportojnë se edhe një helikopteri i KFOR-it pothuajse vazhdimisht është duke fluturuar mbi këtë zonë, duke vëzhguar situatën nga ajri. Teksa ndërkombëtarët vëzhgojnë, Policia e Kosovës vazhdon "krehjen" e terrenit, në kërkim të gjurmëve të terroristëve. Janë gjetur armë dhe municione të tjera, por nuk ka persona të arrestuar./Zëri.ai