
SHKODËR- Me vendim të Gjykatës së Shkodrës, policia e këtij qyteti ka vënë në pranga një 53-vjeccar, nën akuzën e dhënies së dëshmisë së rreme, për vrasjen e Prek Tonajt, në shkurt të vitit 2022.
Burime zyrtare bënë me dije se pas hekurave përfundoi Gegë Tefaj, pronari i lokalit ku ndodhi vrasja e Tonajt, ndërkohë që ka dyshime se ai ka pasur informacione në lidhje me autorët dhe nuk i ka dëshmuar ato përpara grupit hetimor.
“Në vijim të kërkimeve të mbështetura nga inteligjenca policore, për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasin G. T., 53 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër.
Gjykata e Shkodrës, me vendimin e datës 11.07.2022, ka caktuar ndaj këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi ka dhënë dëshmi të rreme përpara prokurorit, për rrethanat e vrasjes së shtetasit P. T., 47 vjeç, ngjarje e ndodhur më datë 13.02.2022, në lokalin e 53-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Deklarata e rreme përpara prokurorit””, njofton policia.