
SUKTH- Vrasja e Fatjon Dervishit mbrëmjen e djeshme në Sukth ishte e dyta brenda një dite në Shqipëri, e njësoj si ekzekutimi i Martin Bardhit në Rrëshen dyshohet se ka motiv hakmarrjen, për ngjarje të mëhershme kriminale. Nëse për 38-vjeçarin e arrestuar të gjitha deklarimet janë se ai nuk ka pasur precedent penal, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për vëllanë e tij Fatbardh Dervishin (Doda). Ky i fundit dyshohet për disa ngjarje kriminale, përfshirë plagosjen e partneres së tij, si dhe zhdukjen e një personi.
Më 3 Janar të vitit të kaluar, Fatbardh Dervishi, 33 vjeç, plagosi me armë zjarri të dashurën e tij Edis Koroveshin, 24 vjeçe. Ngjarja ndodhi në një hotel në autostradën Tiranë-Durrës. Dy të rinjtë ishin të dashur. Ata kanë qenë në hotel së bashku, por Dervishit në gjendje të dehur i është shkrepur aksidentalisht pistoleta dhe u plagos në shpatull.
Vëllai i viktimës u arrestua më pas në Spanjë, ku autoritetet iberike e konsideronin atë një person me rrezikshmëri të lartë, dhe drejtues të një grupi kriminal që maskohej me uniforma policie dhe kryente grabitje të shtëpive që shërbenin si magazina droge.
Ai u arrestua nën akuzën e vjedhjes së automjeteve, falsifikim dokumentesh, armëmbajtje pa leje, trafik droge, grup kriminal. Përveç kësaj, Dervishi u akuzua në emisionin “Në shënjestër” nga Liza Malshi, nëna e të zhdukurit në vitin 2018 në Spanjë Tauland Malshi, se kishte gisht në zhdukjen e këtij të fundit.
Nëna e të riut tregoi se ishte telefonuar nga shoku i tij Edmir Vlashi i cili i kishte thënë se më 25 gusht 2018, ishte telefonuar nga Fatbardh Doda dhe se Fatbardhi i kishte thënë Edmirit: “Mos e kërko më shokun tënd pasi unë kam kry punë me të dhe e kam hedhur në mes të detit në Malaga”.
Të gjitha këto ngjarje ku implikohet vëllai i Fatjon Bardhit, kanë shtyrë policinë që ti përqëndrojë hetimet në pistën e hakmarrjes, pasi vetë viktima të paktën zyrtarisht nga ana ligjore rezultonte i pastër. Prej disa vitesh ai jetonte së bashku me familjen në Gjermani, dhe në Sukth kthehej vetëm për të takuar babanë e tij, i cili jetonte i vetëm.
Ka raportime se 38-vjeçari kishte nisur ndërtimin e një restoranti pranë banesës së tij, por konkurenca nuk është një pistë që është marrë në konsideratë nga ana e policisë, të paktën për momentin. Dervishi mori 2 plumba në organet jetësore, ndërkohë që në drejtim të makinës së tij është qëlluar me të paktën 15 plumba. Autorët dyshohet se kanë qenë 3, një prej të cilëve ekzekutor, një në rolin e shoferit, dhe tjetri duke kryer monitorimin e zonës. Errësira në rrugë, por edhe momenti i vonë në të cilën ndodhi vrasja, iu ka dhënë atyre kohë që të largohen të pashqetësuar nga vendngjarja, e madje të mos lënë si gjurmë as ndonjë makinë të djegur. /Zëri.ai