Aktualitet

Bilanci i zjarreve, "Mbrojtja": 43 vatra në 24 orë, 10 aktive, s’ka rrezik për zonat e banuara

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, zonat më problematike mbeten Gurë-Lurë në Dibër, Mali i Dajtit dhe Vakumone në Shëngjergj, ndërsa vatra aktive raportohen edhe në Qafë Helmes, Abaze në Krujë, Lufaj e Thari në Mirditë, si dhe në Fushë-Lajë e Rrjoll në Shkodër.

zh.ll
Bilanci i zjarreve, "Mbrojtja": 43 vatra në 24 orë, 10
Foto ilustruese

TIRANË- Situata me zjarret në vend mbetet shqetësuar, teksa gjatë 24 orëve të fundit raportohen 43 vatra zjarri, nga të cilat 10 mbeten aktive dhe 3 janë në monitorim.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, zonat më problematike mbeten Gurë-Lurë në Dibër, Mali i Dajtit dhe Vakumone në Shëngjergj, ndërsa vatra aktive raportohen edhe në Qafë Helmes, Abaze në Krujë, Lufaj e Thari në Mirditë, si dhe në Fushë-Lajë e Rrjoll në Shkodër.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se operacionet për shuarjen e flakëve po vijojnë si nga toka, ashtu edhe nga ajri. Në terren janë angazhuar forca dhe automjete zjarrfikëse, ndërsa ndërhyrja nga ajri po kryhet me helikopterë dhe avionë.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 43 vatra zjarri, nga të cilat 10 mbeten aktive dhe 3 janë në monitorim.

Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 499 forca operacionale dhe 43 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 120 efektivë, 5 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Aktualisht në terren po operojnë 120 efektivë të FA, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Vatrat kryesore aktive dhe angazhimi:

* Mali i Dajtit, Tiranë – Vijon puna për shuarjen e zjarrit. Operacioni është mbështetur nga 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.

* Vakumone, Shëngjergj – Vatra mbetet aktive. Në ndërhyrje janë përfshirë MZSH, vullnetarë dhe strukturat e Njësisë Administrative Shëngjergj. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

* Gurë-Lurë, Dibër – Vijon një nga operacionet më të mëdha. Janë angazhuar 120 forca bashkiake, 20 forca policore, 11 ADZM, 15 efektivë MZSH dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Hapja e korridoreve ka ndaluar avancimin e zjarrit drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

* Qafë Helmes, Dibër/Bulqizë – Në operacion janë angazhuar 11 efektivë MZSH, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të FA. Zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe vijon aktiv në drejtim të Selishtës, pa rrezik për banesat.

* Abaze, Krujë – Zjarri mbetet aktiv, por me intensitet të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara. Vatra në Zidoll është në monitorim.

* Lufaj dhe Thari, Mirditë – Në Lufaj vijon puna për hapjen e korridoreve ndarëse. Në Thari është evidentuar një vatër e re, ku janë nisur ekipet e MZSH dhe është dërguar në mbështetje 1 helikopter.

* Fushë-Lajë dhe Rrjoll, Shkodër – Në Fushë-Lajë vijon puna në terren të thyer, ndërsa në Rrjoll, për shkak të terrenit të paarritshëm, situata po monitorohet nga afër dhe është përdorur edhe dron për evidentimin e shtrirjes së vatrës.

* Dardhë, Librazhd – MZSH, shërbimi pyjor dhe forcat bashkiake vijojnë punën për shuarjen e vatrës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Poll

MOS HUMB