
TIRANË- Oficerët e Policisë së Shtetit kanë shkuar për kontroll në banesën e ish-kryeministrit Sali Berisha. Paraditen e sotme, Erion Ismaili, drejtori i krimit ekonomik në Tiranë, ka shkuar vetë për kontroll në banesën e kryedemokratit, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë "arrest shtëpie". Që nga vendosja e tij në "arrest shtëpie" më 30 dhjetor, kreu i Partisë Demokratike e ka thyer disa herë masën e sigurisë të vendosur ndaj tij.
Në pamjet poshtë banesës së Berishës, shihet duke komunikuar me oficerët e policisë dhe një prej truprojave të tij.
Prej disa ditësh, Berisha ka thyer masën e sigurisë që Gjykata e Posaçme ka dhënë ndaj tij, duke mbajtur mitingje me militantët që i shkojnë poshtë banesës, edhe pse vendimi e ndalon që të komunikojë me persona jashtë rrethit familjar.
Sali Berisha akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani. Pasi Berisha nuk e respektoi masën e sigurisë "Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, GJKKO e konvertoi masën në "Arrest shtëpie" me kërkesë të SPAK. Më herët për dosjen “Partizani” është arrestuar dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili më pas u lirua nga burgu nga Gjykata e Apelit të Posaçëm dhe u la në “Arrest shtëpie”./ZËRI