
TIRANË-Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj doli pas disa orësh nga SPAK. Beqaj kërkoi që të mos e paguante një faturë prej 120 mijë lekësh të reja për të tërhequr nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, një kopje të dosjes së tij. I përballur me këtë kusht, ish-ministri u vendos të lexonte 700 fashikujt e dosjes hetimore ndaj tij nga Prokuroria e Posaçme. Beqaj qëndroi prej 7-orësh në ambientet e SPAK për të lexuar dosjen e plotë ndaj tij, por deklaroi se së bashku me avokatin janë njohur vetëm me 15 fashikuj.
'Lexova vetëm 15 fashikuj. Kemi paraqitur memot siç thashë para 10 ditësh. Kemi bërë kërkesa për veprime shtesë hetimore. Kemi bërë kërkesë që të jap deklarimet e mia dhe të pyetem sërish nga hetuesit. Legjislacioni i brendshëm i SPAK që rregullon kostot e procedurave është online. Në këtë fazë praktikisht kam pajtuar një avokat dhe deri në përfundim të gjyqit i përballon studio avokatisë. Dhe në fund bën faturat. Secili prej nesh në proces për të marrë vetëm një usb duhet të paguajë 10 milionë lekë. Këto janë tarifat në fuqi për të cilat jemi të detyruar të ndjekim atë proces që kemi filluar para disa javësh,'- tha Beqaj.
Edhe avokati i Beqajt konfirmoi faturën e kripur rreth 1 milionë lekë të reja (10 milionë lekë të vjetra).
'Pasi lexuam dy vendimet në kërkuam që të merrnim kopjen e akteve siç na e njeh të drejtën ligji. U përballëm me faturën 10 mln lekë të vjetra vetëm për materialet e skanuara PDF. Është dita e fundit për të shqyrtuar 700 fashikujt, deri tani jemi te fashikulli numër 2. Vendimi për përfundimin e hetimeve. Gjithë të pandehurit e tjerë refuzuan të paguajnë këtë fature dhe bëmë kërkesë të njihemi me aktet e dosjes fizikisht. Na u dha një afat 24 orë për të shqyrtuar 700 fashikujt. Është qesharake t’i kërkosh një pensionisti, siç është Petro Mersini, të paguajë 10 mln lekë për tu informuar. Ka dhe një episod me personat që ndodhen në qeli, si mund të lexojë aktet zoti Rrjepaj dhe Rrapaj kur në burg nuk lejohet laptopi, dua të tregoj ironinë e kësaj që po ndodh.... Do të lexojmë sa të mundemi.”- tha Ermal Yzeiraj.
Ilir Beqaj dhe avokati Yzeiraj u njohën sot me një pjesë të vogël të akteve të dosjes dhe e premtja është dita e fundit kur mund të dorëzojnë pretendimet për hetimet e Prokurorisë para se dosja të paraqitet në GJKKO për nisjen e gjykimit.
Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është vënë nën hetim nga SPAK prej një viti. Beqaj është i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check up. Këto 2 çështje janë duke u hetuar nga 3 prokurorë. Koncensionin e sterilizimit po e hetojnë prokurorët Edvin Kondilli dhe Ened Nakuçi, ndërsa atë të Chek Up po e heton prokurorja Elida Kaçkini. Më 18 mars SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve, ndërsa iu komunikoi akuzat 8 personave të tjerë të përfshirë në dosjen e sterilizimit./ZËRI