
TIRANË-Elban Zavalani nuk është më në krye të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit të Tiranës, që mbulon gati gjysmën e konsumatorëve në Shqipëri. Në vend të tij është emëruar Fation Pasholli. Ndryshimet vijnë pasi dyshohet se ish-drejtuesi i AKU-t, Elban Zavalani ishte në dijeni të një skeme korrupsioni që zbatojnë inspektorët në varësi të tij ndaj bizneseve.
Në muajin shkurt, policia njoftoi arrestimin e një biznesmeni në Durrës, të akuzuar se kishte tentuar të korruptojë drejtorin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për rajonin e Tiranës për t’i certifikuar analizat e produkteve të tij, edhe pse ato mund të kenë qenë jashtë standardeve të tregut. Sipas policisë 43-vjeçari, pronar i një baxhoje i ka ofruar, Elban Zavalanit, një shumë parash, me qëllim lehtësimin e procedurave për testimin e produkteve të baxhos së tij.
Në një artikull të publikuar nga Voxnews.al tregohej dhe skema e korrupsionit: Bizneset që kapen me shkelje për të cilat legjislacioni parashikon gjobë, kërcënohen nga inspektorët me padi në prokurorinë e Tiranës, ku kreu i AKU-t të Tiranës ka në funksionin e prokurores një njeri të familjes, nëse refuzojnë që të paguajnë ‘gjobën nën dorë’.