
ITALI – Mediat në Itali raportojnë se biznesmeni Italian Francesco Becchetti, ish-pronar i televizionit Agon Channel, do ta apelojë në Gjykatën Europiane marrëveshjen për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë. Biznesmeni nga Italia, që ka fituar një gjyq ndërkombëtar kundër qeverisë shqiptare për mbylljen e televizionit Agon Channel (me një dëmshpërblim prej 135 milionë euro), ka informuar qeverinë italiane mbi sekuestrimin e së njëjtës vlerë, për shumat që Italia synon t’ja paguajë Shqipërisë me marrëveshjen për refugjatët. Becchetti kërkon sekuestrimin e të gjitha shumës deri në 135 milionë euro, të cilat qeveria italiane ka marrë përsipër t'i paguajë Shqipërisë në bazë të protokollit të 6 nëntorit 2023.
SHKRIMI I PLOTË I MEDIAS ITALIANE:
8 Prillin e kaluar ai fitoi një gjyq për dëmshpërblimin me 135 milionë euro kundër qeverisë së Shqipërisë. Sot, biznesmeni Francesco Beccheti i ka kërkuar qeverisë italiane, që të ndalojë marrëveshjen për transferimin e emigrantëve në Tiranë. Protagonist i kësaj nisme të pazakontë ligjore është Francesco Becchetti, një sipërmarrës italian, i cili pas vitesh telashe ligjore, fitoi dëmshpërblimin për mbylljen e TV Agon Channel.
Nëpërmjet avokatëve të tij, Becchetti "ka ndërmarrë hapa për të njoftuar Presidencën e Këshillit dhe ministrat e qeverisë italiane në mënyrë që të sekuestrohen gjitha shumat që qeveria italiane ka marrë përsipër t'i paguajë qeverisë shqiptare në bazë të të protokollit të 6 nëntorit”.
Pas një dekade betejash ligjore, në fillim të prillit Shqipëria kishte humbur përfundimisht çështjen për rishikimin e vendimit të arbitrazhit, i cili njëzëri i akordoi Francesco Becchettit dhe njerëzve të tjerë një dëmshpërblim prej 135 milionë eurosh. Shuma është e madhe: është e barabartë me 0.75% të PBB-së së Tiranës, e cila në vitin 2022 arriti në 16.2 miliardë. Mosmarrëveshja ka të bëjë me Agon Channel, një stacion televiziv i Tiranës me 500 punonjës, pronar i të cilit ishte Becchetti, biznes i nisur në Shqipëri në prill 2013.
Pas transmetimit të kritikave ndaj kryeministrit të atëhershëm shqiptar Edi Rama, qeverisë së tij dhe politikanëve të tjerë, TV u mbyll në tetor 2015 pasi Becchetti dhe nëna e tij, Liliana Condomitti, u akuzuan për pastrim parash. Pasuritë e Becchettit u ngrinë, u lëshua një urdhër arresti ndërkombëtar dhe u kërkua ekstradimi i tij. Në tetor 2015, Becchetti u arrestua në Londër, por në korrik 2016, Gjykata Penale e Uestminster-it hodhi poshtë urdhrin e ekstradimit, duke i quajtur provat shqiptare mashtruese.
Icsid i Uashingtonit, Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, e cila është pjesë e grupit të Bankës Botërore, hodhi poshtë kërkesat e Shqipërisë. Për Icsid-in, urdhër-arrestet e lëshuara nga qeveria e Ramës kundër Becchetti-t dhe administratorit të Agon Channel, Mauro De Renzis, të akuzuar për evazion fiskal, falsifikim dokumentesh, përvetësim dhe pastrim parash, u motivuan nga kritikat e ‘Agon’ ndaj qeverisë shqiptare dhe se mbyllja e TV ishte kulmi i një fushate politike kundër Becchettit. Gjykatat në Londër vendosën se Tirana abuzoi me procesin gjyqësor. Pasi Shqipëria nuk mundi t'i justifikonte urdhër-arrestet, Interpoli tërhoqi ato ndaj Becchetti dhe De Renzis.
Prillin e kaluar, më 2019 çështja mori zgjidhje përfundimtare dhe qeveria shqiptare duhej t'i paguante 120 milionë Becchettit dhe personave të tjerë të kësaj çështjeje. Becchetti komentoi: “Rama dhe qeveria e tij kanë zbatuar një nga persekutimet më të këqija politike në historinë bashkëkohore evropiane kundër meje […]”. Becchetti deklaroi se “çmimi që më cakton shumën prej 135 milionë eurosh si dëmshpërblim është përfundimtar, detyrues, ekzekutiv dhe ka të njëjtin efektivitet si një dënim përfundimtar i dhënë brenda shtetit’.
Megjithatë, gjatë katër viteve të fundit qeveria Rama ka refuzuar të zbatojë dispozitat e dënimit të Gjykatës Icsid të Bankës Botërore, të krijuar nga Konventa e Uashingtonit e vitit 1965. Tani për Giorgia Melonin lind një problem: Roma duhet t'i paguajë Tiranës një paradhënie prej 16.5 milionë eurosh për ndërtimin e dy strukturave në portin e Shëngjinit dhe fshatin Gjadër./Dagospia - ZËRI/