
TIRANË- Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka deklaruar se mbështet idenë e ndalimit të përdorimit të rrjeteve sociale nga personat nën 16-vjeç. Gjatë fjalës së tij për mediat, pas analizës në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, Balla u shpreh se ky diskutim nuk do të mbetet në sirtar. Po ashtu ai u ndal dhe tek rasti i vetëvrasjes së Bedrie Lokës, për të cilën tha se Policia e ka bërë detyrën e saj, ndërsa çështja është në “derën” e Prokurorisë.
Taulant Balla: Ky është një diskutim që nuk do të kthehet më mbrapsht dhe nuk do të lihet më në sirtar. Bën pjesë në prioritetet e mia, sa i përket mbrojtjes së jetës private të qytetarëve. Sa i takon mbrojtjes kryesisht të fëmijëve dhe të rinjve nga fenomene si bullizmi, por bullizmi nuk po njeh moshë. Jam njohur sot me një iniciativë të ndërmarrë nga një prej shteteve të SHBA, në Florida, për të vënë kufizime në përdorimin e rrjeteve sociale, pra për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën 16 vjeç. Mendoj që është një ide e mirë. Qytetarët të referojnë çdo problem me rrjetet sociale në polici. Në Durrës ne kemi një seksion të posaçëm. E vërteta është që ne i ndjekim dhe kemi pasur raste të suksesshme të bllokimit të faqeve nga vjen sulmi, por shkojmë përtej në bashkëpunim me prokurorinë. Këtu dua të nxis prokurorët të jenë më bashkëpunues./ZËRI